Nuk i bindet urdhrit të policisë, përplas me makinë efektivin në Tiranë

policia e tiranes 4 1100x620

Një person është vënë në pranga nga policia e kryeqytetit këtë të enjte pasi kundërshtoi me dhunë punonjësin e policisë, e goditi atë me mjetin që e drejtonte pa leje drejtimi dhe më pas u largua.

Policia ka bërë të ditur se pas disa minuta ndjekjeje, “Shqiponjat” kanë kapur dhe prangosur shtetasin A. G., 27 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Nr. 2 dhe nga verifikimi i kryer ka rezultuar se drejtonte mjetin pa lejen përkatëse.

Sipas policisë, në pikën e kontrollit të ngritur nga ana e “Shqiponjave” dhe “Shigjetave”, në vendin e quajtur “Ish-Fusha e Aviacionit” në Tiranë, i është bërë shenjë ndalimi mjetit tip “BMW”, drejtuesi i të cilit nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të policisë dhe është larguar me shpejtësi, duke goditur me mjet punonjësin e policisë, i cili ka marrë dëmtime të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.