Opozita këmbëngul në ekspertizën e OSBE/ODIHR për Kodin Zgjedhor: Po rrezikoni negociatat

gjiknuri vasili 1100x620

Përfaqësuesit e opozitës në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili, këmbëngulin në qëndrimet e tyre për ekspertizën e OSBE/ODIHR në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për Kodin e ri Zgjedhor. Në letrën e drejtuar përfaqësuesit të PS-së, Damian Gjiknuri, opozita thekson se konsensusi është mekanizmi i vetëm për reformën zgjedhore.

“Është kërkesë e partnerëve ndërkombëtarë që me qëllim gjetjen e konsensusit në Këshill, mosdakordësia për çështjen themelore të koalicioneve zgjedhore, t’i dërgohet menjëherë e pa vonesë OSBE/ODIHR-it”.

Sipas opozitës qëndrimi refuzues i mazhorancës ka penguar jo vetëm punën e Këshillit Politik të reformës zgjedhore, por po rrezikon hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE.

“Bllokimi nga ana juaj i funksionimit të Këshillit Politik, refuzimi për t’ju drejtuar OSBE/ODIHR-it, si dhe tentativa për ndryshimin e njëanshëm të Kodit Zgjedhor në shkelje të marrëveshjeve të 14 janarit dhe 5 qershorit, po vënë në rrezik hapjen e negociatave dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë”- thuhet në letrën drejtuar Gjiknurit.

Ndërkohë përfaqësuesi i PS-së, Damian Gjiknuri, propozoi mbledhjen e Këshillit Politik, sot në orën 11:00, ndërsa një ditë më parë opozita parlamentare braktisi mbledhjen e komisionit të ligjeve me argumentin që të shqyrtoheshin edhe propozimet e opozitës jashtëparlamentare.

LETRA E PLOTË E PËRFAQËSUESVE TË OPOZITËS

Z. Gjiknuri,

Këshilli Politik funksinon vetëm mbi tërësinë e rregullave të marrëveshjes politike të 14 janarit 2020 dhe mekanizmi i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve duke iu drejtuar OSBE/ODIHR-it është rregull themelor i saj. Pa zbatimin e këtij mekanizmi nuk ka zgjidhje të pranuara siç përcakton marrëveshja dhe pa zgjidhje të pranuara nuk ka konsensus në reformën zgjedhore. Konsensusi është mekanizmi themelor i funksionimit të Këshillit Politik si instrumenti vendimarrës për çdo ndryshim të Kodit Zgjedhor.

Mesazhet e partnerëve ndërkombëtarë kanë qenë të qarta që palët në Këshill të kërkojnë konsensusin në kuadër të Këshillit Politik. Reforma zgjedhore konsensuale është një nga 15 kushtet për hapjen e negociatave për antarësim në BE. Është kërkesë e partnerëve ndërkombëtarë që me qëllim gjetjen e konsensusit në Këshill, mosdakordësia për çështjen themelore të koalicioneve zgjedhore që tashmë është shtruar publikisht dhe zyrtarisht në Këshill nga opozita, t’i dërgohet menjëherë e pa vonesë OSBE/ODIHR-it.

Qëndrimi juaj refuzues i shprehur në të gjitha seancat e Këshillit Politik që nga data 14 shtator e së fundmi me shkresën e datës 29 shtator 2020, është bërë pengesë dhe ka bllokuar funksionimin e Këshillit Politik si dhe ka minuar zbatimin e Marrëveshjes se 14 janarit. Bllokimi nga ana juaj i funksionimit të Këshillit Politik, refuzimi për t’iu drejtuar OSBE/ODIHR-it, si dhe tentativa për ndryshimin e njëanshëm të Kodit Zgjedhor në shkelje të marrëveshjeve të 14 janarit dhe 5 qershorit, po venë në rrezik hapjen e negociatave dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Opozita do të vazhdojë të ngulë këmbë në Këshillin Politik që rregullat e funksionimit të tij të zbatohen të plota, konsensusi të jetë mekanizmi i vetëm. Në këtë kuadër ripërsërisim kërkesën tonë që Këshilli t’i drejtohet si hap i parë, pa asnjë vonesë tjetër, OSBE/ODIHR-it. Kjo do t’i hapë rrugë shqyrtimit të çështjeve të tjera ku rëndësi ka hapja e plotë e listave të kandidatëve.