Opozita kërkoi ekspertizën e ODIHR, Gjiknuri: Kërkesa juaj fut vendin në krizë kushtetuese

gjiknuri 1100x620

Mazhoranca dhe opozita vijojnë të mbajnë të njëjtin qëndrim në lidhje me propozimet për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Në përgjigje të kërkesës së opozitës për ekspertizën e OSBE/ODIHR, përfaqësuesi i PS-së në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri, e akuzon atë se po zvarrit procesin e reformës zgjedhore dhe po e fut vendin në krizë kushtetuese.

“Kërkesa juaj për ekspertizën e ODIHR është për të zvarritur procesin dhe për të futur në krizë kushtetuese vendin. Që të mbahet peng gjithçka vetëm nga formulimi për koalicionet, kjo është taktikë e juaja për të çuar në pengimin e zbatimit të Kushtetutës”-shprehet Gjiknuri.

Sipas tij procesi i reformës zgjedhore nuk mund të diktohet nga kërkesat e opozitës.

“Tentativa që konsensusi të quhet imponim vetëm i njërës palë është i papranueshëm për mazhorancën. Nuk mund të diktohet procesi i reformës nga kërkesat tuaja. Nuk pranojmë të na diktohet konsensusi me kërkesa vetëm të njërës palë. Në emailin tuaj më shumë kërkoni sebep për të mos gjetur kompromis dhe kërkoni të imponoheni. Sipas jush kompromis është vetëm ajo që kërkoni ju”.

Oferta që Gjiknuri i propozon opozitës është pranimi i formulës së koalicioneve me sisteme proporcionale rajonale me lista të hapura, ndërsa për çështjen e listave dhe pragut elektoral, i fton të diskutojnë për të arritur kompromisin.

“Unë jam i hapur për kompromis për çështjet e tjera, nëse ju deklaroni se do të pranoni formatin e koalicioneve sipas shembujve evropianë. Oferta jonë është të pranojmë formulën e koalicioneve sipas shembujve të vendeve evropiane me sisteme proporcionale rajonale me lista të hapura. Më pas për çështjen e listave dhe pragut hajdeni të diskutojmë. Ne i qëndrojmë propozimit tonë për listat, por megjithatë hajdeni të ulemi dhe të punojmë për të gjetur kompromis”.