Pandemia ka vendosur 500 mijë vajza të mitura në rrezikun e një martese të detyruar

qxz 600x338

Pandemia ka vendosur 500,000 vajza të mitura në rrezikun e një martese të detyruar këtë vit, duke përmbysur 25 vjet përparim në këtë fushë.

Këto të dhëna vinë nga një raport i Save the Children, që shpjegon se para shpërthimit global të koronavirusit, 12 milion vajza të mitura martoheshin çdo vit, por brenda 5 viteve të ardhshme kjo shifër mund të rritet deri në 2.5 milion më shumë.

117 milion fëmijë vlerësohet të bien në varfëri në vitin 2020, dhe shumë prej tyre do të përballen me presion për të punuar dhe ndihmuar familjet e tyre.

“Pandemia do të thotë që më shumë familje po zhyten në varfëri, duke detyruar shumë vajza të punojnë për të mbështetur familjet e tyre, të qëndrojnë pa ushqim, të bëhen kujdestaret për familjarët e sëmurë dhe të braktisin shkollën,”, tha në një njoftim për shtyp, Inger Ashing, CEO i Save the Children International.

Pandemia çoi në mbylljen e shkollave dhe “përvoja gjatë shpërthimit të Ebolas sugjeron që shumë vajza nuk do të kthehen më kurrë” në klasë për shkak të “presionit në rritje për të punuar, rrezikut të martesës, dhe humbjes së kontaktit me arsimin”, sqaron organizata bamirëse.

Këtë vit, 191,200 vajza në Azinë e Jugut do të preken në mënyrë disproporcionale nga rreziku i martesës në moshë të vogël, thotë raporti.

Azia pasohet nga Afrika Perëndimore dhe Qendrore, me 90,000 vajza, Amerika Latine dhe Karaibet (73,400) dhe Evropa dhe Azia Qendrore (37,200).

Vajzat e prekura nga krizat humanitare, të tilla si luftërat, përmbytjet dhe tërmetet, përballen me rrezikun më të madh të këtyre lloj martesave, vëren raporti.

Sakaq, para pandemisë, të dhënat treguan se fenomeni po rritet në mesin e refugjatëve. Në Liban, kjo lloj martese tek refugjatët siriane u rrit me 7% midis 2017 dhe 2018.

“Çdo vit, rreth 12 milion vajza martohen, 2 milion para ditëlindjes së tyre të 15-të,” tha Ashing.