Situata e emigrantëve në Bosnjë është dramatike, OKB: Me mijëra po flenë në rrugë

bosnje kampe refugjatesh 1100x620

Në Bosnjë Hercegovinë po rrezikohet një katastrofë humanitare.  Autoritetet e Sarajevës kanë filluar të zbrazin disa kampe të menaxhuara nga OKB-ja, ku ndodhen qindra emigrantë që vijnë më së shumti nga vende në luftë si Siria, Iraku dhe Afganistani.

Dy kampe në rajonin e Krajinës  janë zbrazur dhe me qindra janë dërguar në afërsi të Bihaçit, ku ndodhen kampe tashmë në kolaps të plotë nga mbipopullimi. Por shumica e tyre, rreth 2500, ndodhet në mëshirë të fatit, në kampe të pakontrolluara dhe spontane, pak kilometra nga kufiri i BE-së që ëndërrojnë prej gati 3 vitesh, që kur një pjesë e vendeve të BE-së mbyllën kufijtë e tyre.   

Krahina boshnjake ndan rreth 1000 kilometra me kufirin kroat dhe pikërisht aty janë mbledhur pjesa më e madhe e 10 mijë refugjatëve që ndodhen në vendin ballkanik.

Edhe pse BE-ja ka dhuruar rreth 60 milionë euro për të mbështetur Bosnjë-Hercegovinën në menaxhimin e emigrantëve, institucione si IOM dhe shoqëria civile prej kohësh denoncon kushtet e papërshtatshme të strehimit.

Qindra refugjatë enden në rrugët e Bosnje Hercegovinës

Sipas Peter Auweaert, koordinatori i IOM për Ballkanin Perëndimor, “2500 persona po flenë në qiell të hapur, do të kalojnë netët në vijim në të ftohtë, pa një çati, në mënyrë të trishtuar dhe aspak humane”.