Çfarë është “Turizmi hakmarrës” dhe pse po e promovon Kina

2 3 600x338

Miliona kinezë po udhëtojnë në të gjithë vendin në një periudhë që njihet si “turizmi hakmarrës”, pas gati një vit karantinë, bllokim dhe kufizim lëvizjesh.

“Turizmi i hakmarrjes” është term që përdoret për të përshkruar trendin e pashmangshëm të udhëtimeve dhe lëvizjeve, menjëherë sapo njerëzit janë të lirë të lëvizin pas muajsh të tërë bllokimi.

Ministria e Kulturës dhe Turizmit në Kinë po e promovon për të “ringjallur” ekonominë. Autoritetet presin që rreth 550 milion njerëz të udhëtojnë brenda vendit gjatë një feste zyrtare tetë ditore që nisi më 1 Tetor dhe shënon festivalin e mesit të vjeshtës dhe ditën kombëtare të Kinës.

E njohur si, Java e Artë, kjo është tradicionalisht koha kryesore për blerje dhe udhëtime. Shpenzimet gjatë tetë ditëve të ardhshme do të jenë një tregues kryesor i rimëkëmbjes ekonomike të Kinës nga pandemia e Covid-19.

Por pavarsisht krizës që vendi kaloi, fotografitë e postuara në rrjete sociale, treguan vendet turistike të mbushura me vizitorë dhe stacionet e trenave të zënë me pasagjerë.

Shumë persona u ankuan në forume të ndryshme në internet se hotelet dhe biletat për vendet turistike ishin shitur ose se trafiku e kishte bërë të pamundur lëvizjen.

Nga ana e tyre, agjencitë e udhëtimit kanë bërë zbritje, ndërsa linjat ajrore kanë shtuar itinerare të reja për të përmbushur kërkesën. Më shumë se 500 vende piktoreske në të gjithë vendin po japin hyrje falas ose zbritje për vizitorët.

Megjithatë, edhe pse duket se Kina ka arritur të kontrollojë virusin, pasojat e muajve të karantinës totale vazhdojnë ende, ku shumë njerëz janë të papunë, ndërkohë që të tjerë nuk kanë të ardhura.