Donald Trump dhe bashkëshortja Melania, me koronavirus

33885928 8796793 President Donald Trump and first lady Melania Trump wave before  a 22 1601605730352 600x338

Gati një muaj para zgjedhjeve presidenciale, dhe pak ditë para debatit të dytë me rivalin demokrat Joe Biden, Donald Trump dhe bashkëshortja Melania rezultojnë pozitiv me koronavirus. Njoftimin e bëri vetë kreu i Shtëpisë së Bardhë përmes një postimi në rrjetin social Twitter.

“Sot, unë dhe Melania rezultuam pozitiv me Covid-19. Do të vetizolohemi dhe do të nisim procesin e shërimit menjëherë. Do ta kalojmë këtë së bashku”, shkroi Trump.

74-vjeçari, i cili hyn në grupin me risk të lartë nga koronavirusi, iu nënshtrua testit pasi një prej bashkëpunëtoreve të tij të ngushta u infektua me covid-19. 31-vjeçarja Hope Hicks udhëton shpesh me presidentin dhe gjendej bashkë me të në Air Force One në fluturimin për në Ohajo, ku u mbajt debati i parë presidencial. Disa prej pjesëtarëve të familjes së Trump, të cilët ndoqën debatin nuk mbajtën maskën mbrojtëse. Në reagimin e tij pasi u bë e ditur se Hicks ishte pozitive, numri një I Uashingtonit tha se 31-vjeçarja kishte punuar pa pushim gjatë gjithë kohës, duke e cilësuar si diçka të tmerrshme infektimin e saj.

Mjeku i Trump, Sean Conley, tha përmes një deklarate se Presidenti dhe Zonja e Parë janë në gjendje të mirë për momentin, dhe se kanë planifikuar të qëndrojnë në banesën e tyre në Shtëpinë e Bardhë. Mjeku shtoi më tej se, pret që presidenti të vijojë punën pa ndërprerje nga shtëpia.

Prekja e Trump nga koronavirusi është një zhvillim dramatik, që vjen një javë pasi Donald Trump u tha amerikanëve të mos shqetësohen, pasi ai nuk rrezikon askënd përveç të moshuarve dhe atyre me probleme zemre. Ndërsa do të duhet të qëndrojë i izoluar, aktivitetet elektorale do të anulohen dhe gjithashtu debati i ardhshëm vihet në pikëpyetje. Mesazhi i presidentit se vendi po shënon progres në luftën kundër virusit, u minua nga infektimi i vetë atij.