Hajdari: Propozimi i ri i PS-së, ofendim për opozitën dhe shqiptarët

rudina hajdari frame 198 1100x620

Deputetja Rudina Hajdari e konsideroi propozimin e ri të Partisë Socialiste mbi amendamentet e Kodit Zgjedhor si “ofendim për opozitën parlamentare dhe shqiptarët”.

“Praktikisht, është i njëjti propozim si ai i mëparshëm, thjesht i artikuluar ndryshe me më shumë hile dhe truke brenda. Është për t’u keqardhur se si Parlamenti nga një institucion serioz i cili duhet t’i shërbejë qytetarëve dhe Shqipërisë është kthyer në strehë intrigantësh që mendojnë nga mëngjesi deri në darkë se si t’ia hedhin qytetarëve. Ne nuk e pranojmë këtë propozim, ne duam lista të hapura 100%, pa truke e pa hile. Duam që deputetët t’i vendosë qytetari dhe jo kryetari. Duam demokraci reale dhe jo kryetarokraci që përdor pushtetin për të grabitur vendin e pasuruar një grusht njerëzish”, tha Hajdari.

“Mirëqenia e Shqipërisë kalon vetëm nëpërmjet demokracisë dhe për këtë ne nuk negociojmë”, shtoi Rudina Hajdari.