Infektimi i Trump me Covid-19 dhe ndikimi në zgjedhje, gazetarja e CNN sjell detaje në A2

Detajet më të fundit mbi gjendjen shëndetësore të Presidentit Donald Trump dhe Zonjës së Parë, Melania Trump, të cilët rezultuan pozitivë me koronavirus, i solli në A2 reporterja e CNN, Karin Caifa.

Blendi Salaj: Përshëndetje Karin. Mësuam se Presidenti dhe Zonja e Parë u infektuan me koronavirus. Si është gjendja e tyre shëndetësore?

Karin Caifa, reportere e CNN: Ata janë në izolim në rezidencën presidenciale të Shtëpisë së Bardhë, ku janë duke qëndruar prej orësh që pasi doli lajmi këtu në Uashington, me Presidentin që e njoftoi atë përmes “Twitter”-it rreth orës 1 të mëngjesit, duke shkruar se ai dhe Zonja e Parë rezultuan pozitiv me koronavirus. Ata që ishin me të në ditët e fundit dhe ata që e shoqëruan dje, thanë se Presidenti ishte paksa i lodhur dhe se kishte dhembje fyti, por këtë ia atribuuan debatit të së martës dhe tubimit që mbajti të mërkurën në mbrëmje. Por, kjo është diçka që duhet marrë shumë seriozisht dhe ata që janë afër Presidentit dhe Zonjës së Parë po e bëjnë këtë. Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence, dhe bashkëshortja e tij, Karen, zhvilluan një test për koronavirus në mëngjes dhe rezultuan negativë. Ne mësuam se edhe kandidati demokrat, Joe Biden, do të testohet gjithashtu.

Blendi Salaj: Çfarë nënkupton kjo diagnozë për fushatën elektorale, 4 javë përpara ditës së zgjedhjeve?

Karin Caifa: Po, është një zhvillim i rëndësishëm. Ka pasur shumë zhvillime të papritura në këtë fushatë dhe kur kanë mbetur vetëm 32 ditë, kjo ngre pikëpyetje mjaft të rëndësishme. Presidenti Trump dhe Joe Biden mbajtën debatin e parë, nga tre të tillë, në Klivlend, të martën mbrëma. Ata ndanë së bashku një skenë, ku të gjitha masat ishin marrë për të garantuar shëndetin e të gjithëve, por gjithsesi kanë pasur një lloj afërsie me njëri-tjetrin. Ata që erdhën me presidentin Trump, përfshirë pjesëtarë të familjes, të cilët u ulën në audiencë gjatë debatit, nuk po mbanin maska dhe sigurisht ka shumë hapësirë për shqetësim aty. Debati i radhës mes tyre është caktuar të mbahet me 15 tetor, pra pas 13 ditëve. Qendra për parandalimin dhe kontrollimin e sëmundjeve këtu në SHBA këshillon që nëse jeni në kontakt me një të infektuar me koronavirus, rekomandon vetëkarantinim për 14 ditë. Tani, Presidenti Trump rezultoi pozitiv dhe kështu që ideja e zhvillimit të debatit në mënyrën e vjetër, brenda 13 ditëve, ka pak gjasa të ndodhë. Ka pasiguri edhe për debatin e tretë. Kështu që është një ndryshim i madh dhe po ndikon në këtë fazë të fundit të fushatës.

Blendi Salaj: Ka shumë të panjohura në këtë proces. Duke i uruar shërim të shpejt presidentit Trump, jam kurioz për Joe Biden. Çfarë toni po përdor dhe çfarë po bën ai në këtë pikë?

Karin Caifa: Joe Biden është treguar shumë i kujdesshëm në fushatën e tij. E pamë të udhëtonte vetëm në shtetet më të rëndësishme në javët e fundit, në fillim të shtatorit gjatë fazës së fundit të kësaj fushate. Ka qenë shumë selektiv në eventet që mban dhe sigurisht që nuk zhvillon evente të shkallës së gjerë, siç parapëlqen Trump të bëjë, në të cilat mbledh mijëra persona në një vend. Joe Biden do të testohet për koronavirus, ashtu edhe bashkëshortja e tij. Gjithashtu, mësuam se edhe bashkëgaruesja e tij, Kamala Harris, kreu një test rutinë dhe rezultoi negative për koronavirus. Ata kanë kryer rregullisht teste javore. Por tani kjo është diçka, e cila duhet të monitorohet më nga afër. Ashtu si Trump edhe Joe Biden është mbi të 70-tat, kështu që janë dy garues që janë në grupmoshën e rrezikut për komplikacione të mundshme nga koronavirus, ndaj do të ngrihen pyetje se sa shumë Joe Biden duhet të marrë pjesë në fushatë e të vizitojë shtete të rëndësishme, apo të ndërveprojë me votuesit duke lënë shtëpinë e tij. Me shumë gjasë pjesa e mbetur e kësaj fushate do të mbahet në mënyrë virtuale.

Blendi Salaj: po ka shumë të panjohur. Faleminderit Karen Caifa. Ishte me ne Karen Caifa e CNN nga Uashingtoni.