Kina lë pas pandeminë, festivale ushqimi dhe dasma masive gjatë festave

Kina ka lënë pas pandeminë koronavirus dhe i është rikthyer normalitetit të vjetër. Festivale ushqimi dhe dasma në grup po zhvillohen në të gjithë vendin, duke shtuar dhe më tej atmosferën festive përgjatë celebrimit të Ditës Kombëtare dhe Festivalit të Vjeshtës.

Më shumë se 300 çifte i dhanë fund beqarisë njëkohësisht, duke kurorëzuar martesën në 7 vende të ndryshme të Kinës.

“Sot shënojmë Festivalin e Mes-Vjeshtës dhe Ditën Kombëtare. Jam shumë i lumtur dhe krenar për këtë mundësi”, thotë Dong Bin, një nga dhëndrit që kanë pasur mundësi të festojnë.  

 “Duke qenë se ishim të zënë me punë, ne nuk patëm një dasmë pas martesës ligjore. Prandaj, kjo dasmë sot është realizim i ëndrrës sime. Është një ditë e paharrueshme”, shton nusja e tij, Xu Xiaoyu.

Në qytetin bregdetar Weihai në Kinën Lindore, qindra turistë dhe banorë lokalë morën pjesë në festivalin e përvitshëm të produkteve të detit. Ndërsa në një fshat të provincës Sichuan, në jug-perëndim të vendit, banorët u mblodhën bashkë për të ngrënë nudëlls, pasi kjo simbolizon jetëgjatësinë në kulturën kineze. Ndërkohë, turistët vërshuan dhe në qytetin Suzhou për të shijuar gaforre të freskëta, një specialitet lokal i kësaj zone.