Kodi Zgjedhor, miratohen koalicionet me listë unike, ulet pragu në 1%

votimet shqiperi 1100x620

Kodi Zgjedhor u miratua në Komisionin e Ligjeve vetëm me votat e mazhorancës, e cila i qëndroi idesë së saj që koalicionet të garojnë me listë unike të përbashkët, ndonëse kjo kundërshtohet nga opozita jashtëparlamentare. Një pjesë e neneve megjithatë mori dakordësinë e pakicës parlamentare që hyri doli nga mbledhja në varësi të asaj që votohej.

Damian Gjiknuri, njeriu që gjatë gjithë këtij procesi kishte përsipër detyrën të negocionte me të dy opozitat si në kuvend si në këshillin politik, u paraqit në mbledhje me disa propozime surprizë. Një prej tyre pranonte kërkesën e Myslym Murrizit për ta ulur pragun kombëtar nga 3 në 1% të votave, ndërsa për listat e hapura kishte një formulë të re.

Të dy pjesët e listës, si ajo fituese dhe ajo plotësuese, do të renditen në bazë të votave preferenciale, për secilin kandidat. Për të kaluar tek pjesa qe futet ne kuvend, një kandidat që ndodhet në pjesën jo të  favorshme të listës, duhet të marrë vota më shumë se mesatarja e partisë së tij në atë qark. Për ta lehtësuar këtë kapërcim, u vendos një tavan maksimal prej 10 mijë votash, edhe për ato qarqe kur mesatarja e partisë do të kërkonte një sforco më të madhe prej kandidatit.

Kjo formulë e re do të dërgohet në kushtetuese, sipas Myslym Murrizit, i cili kërcënoi me votë të hënën në kuvend. Kërcënimi nuk u prit mire nga socialistët.

Opozita fillimisht u paraqit e unifikuar në qëndrimin e saj për të bojkotuar mbledhjen. Më pas, një pjesë e deputetëve u rikthyen për të votuar nenet që i jepnin të drejte kryetarëve të partive të garojnë në maksimumi 4 qarqe njëherësh, për të shtuar mundësinë e kapjes së një mandati. Nëse partitë garojnë në koalicion, këtë të drejtë e gëzon vetëm kryetari i forcës që e udhëheq atë.