Luftimet për Karabakun, Azerbajxhani rrëzon një dron të ushtrisë armene

Luftimet mes Azerbajxhanit dhe Armenisë për kontrollin e rajonit Nagorno-Karabak kanë hyrë në ditën e gjashtë. Përplasjet ushtarake nuk po ndalen edhe pse fuqitë e mëdha dhe OKB kanë kërkuar që palët të dakordësohen për një armëpushim të shkurtër për të nisur negociatat për paqe.

Mediat e Turqisë kanë publikuar disa pamje që tregojnë rrëzimin e një droni nga ushtria azere, mjet i cili mendohet të jetë i forcave armene.

Nga rindezja e konfliktit, qindra persona kanë humbur jetën ose janë plagosur në të dyja anët, mes tyre edhe civilë.

Rajoni Nagorno-Karabak, është i një rëndësie të veçantë për botën pasi aty kalojnë tubacione të ndryshme të gazit dhe naftës. Ky rajon u shkëput nga Azerbajxhani në luftën e viteve 1991-1994, në të cilën u vranë rreth 30 mijë njerëz. Ai udhëhiqet aktualisht nga etnikë armenë.