Rama: Kosova, peng i dinamikave të brendshme në disa vende të BE-së

rama 2 1100x620

Kryeministri Edi Rama, gjatë mbledhjes së përbashkët të qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, deklaroi se “Kosova është marrë peng i dinamikave të brendshme në disa vende të caktuara të Bashkimit Evropian”.

“Kosova duhet të presë si mbarojnë një palë zgjedhje në një vend dhe ku ka zgjedhje në një vend tjetër. Nuk arrij dot të kuptoj asgjë nga ato që thonë ata me të cilët kam folur për këtë temë, por kuptoj atë që nuk e thonë. Kosova po paguan me mosliberalizim të vizave, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut me mungesën e hapjes së negociatave”, u shpreh kryeministri.

Kryeministri vlerësoi qeverinë aktuale të Kosovës për marrëveshjen e 4 shtatorit në Uashington dhe kthimin në dialogun me Serbinë.

“Takimi i Uashingtonit, rihapja e dialogut me Serbinë, përparimi në axhendën e reformave europiane. Janë disa prej shenjave kuptimplota të përparimit diplomatik të Kosovës. Në mënyrë të veçanta dua të theksoj qasjen e mençur, kurajoze dhe konstruktive të Kosovës në dialogun e me Serbinë. Duke hequr kështu çdo pengesë për rinisjen e dialogut, që në fakt koha dhe faktet treguan se ishte një pengesë që Kosova fatkeqësisht ia vendosi vetvetes. Dialogu mbetet i vetmi instrument që Kosova të fitojë çështjen për zgjidhje. Çdo bishtnim nga dialogu krijon vetëm fitore iluzore në rrjete sociale”, tha Rama.