SHÇBA: Shpërdorimi dhe korrupsioni, fenomenet më tipike në polici

Shpërdorimi i detyrës por edhe korrupsioni nuk janë dicka e re kur flitet për Policinë e Shtetit. I fundit por jo vetëm, Artan Shkëmbi, dekonspiroi operacione dhe u desh që indiciet e autoriteteve gjermane të sillnin pezullimin e më pas hetimin ndaj tij.

Por në Shqipëri funksionon dhe një institucion, i cili quhet Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e brendshme. Në raportin më të fundit vjetor dy fenomenet më tipike në Policinë e Shtetit janë ato të shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit.

Sipas SHKB, shpërdorimi i detyrës zë rreth 57 përqind të totalit të veprimtarisë së kundërligjshme ndërsa format kryesore që ai shfaqet lidhen me korrupsionin favorizimin e bimëve narkotike si dhe tek ndërtimet pa leje.

Për sa i përket akteve korruptive sipas Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, ky fenomen është tepër i gjerë dhe i shtrirë në zinxhirin komandues. Në totalin e tij ai zë 19 %.

Më së shumti korrupsioni shfaqet në disa pika ku mes tyre është dhe dekonspirimi i operacioneve policore por edhe lidhja me persona me precedente apo grupe të strukturuara kriminale. Për këtë pjesë vetë shërbimi ka vepruar dhe ka dorëzuar në prokurori 250 kallezime prej të cilave, 115 punonjës janë të nivelit të parë drejtues. Vetëm për 24 prej tyre janë zbatuar vendime të gjykatave për masat e sigurimit.

Për vitin 2019 në konkluzion pavarësisht masave me vërejtje uljes në gradë apo dhe heqjes së ditëve të punës në total janë marrë vetëm 3 masa për përjashtim nga radhët e policisë.

Duke parë përjashtimet e pezullimet kuptohet qartë pse policia dështon në shumë operacione të saj për kapjen e të shumëkërkuarve. Kjo nuk është dicka e re si në rastin e Talo Celës, por kur dështimet vijnë nga dekonspirimet problemi bëhet më serioz duke marrë parasysh që të gjithë këta drejtues pajisen dhe me certifikata sigurie.