Tensionet në Mesdheun lindor, BE: Sanksione Turqisë nëse provokimet vazhdojnë

von der leyen erdogan 1100x620

Bashkimi Europian kërcënoi të ndëshkojë Turqinë më sanksione, siç tha, për provokimet dhe presionet, në konfliktin për resurset energjetike në Mesdheun Lindor.

Pas takimit me liderët e Bashkimit Europian në Bruksel, presidentja e komisionit europian, Ursula Von der Leyen i kërkoi Ankarasë të përmbahej nga veprimit e njëanshme.

“Presim që Turqia të përmbahet nga veprimet e njëanshme. Në rastin e përsëritjes së veprimeve të tilla nga Ankaraja, Bashkimi Europian do të përdorë të gjitha instrumentet në dispozicion. Kemi një mekanizëm që mund ta zbatojmë menjëherë. Por kjo nuk është ajo që duam. Do të dëshironim të punonim për një marrëdhënie të re afatgjatë mes BE dhe Turqisë”, deklaroi Van del Leyen.

Më herët Turqia dhe Greqia ranë dakord të vendosin një linjë të re komunikimi ushtarak për të reduktuar rrezikun e përplasjeve në rajon.  Pas takimit të zhvilluar mbrëmjen e së enjtes, anëtarët e bashkimit europian ranë dakord të rishikojnë sjelljen e Turqisë në muajin dhjetor dhe për të vendosur sanksione nëse provokimet nuk ndalen.

Kancelari austriak Sebastian Kurz tha përmes një postimi në Twitter se Brukseli i kishte përcjellë një kërcënim të qartë për sanksione Turqisë nëse ajo do të vazhdojë të shkelë ligjin ndërkombëtar. Ndërsa presidenti i Këshillit Europian Charles Michel tha se BE po i ofronte Ankarasë marrëdhënie më të afërta tregtare dhe në fusha të tjera, por duke lënë në tryezë kërcënimin e sanksioneve nëse tensionet në Mesdhe nuk zbuten.

Tensionet mes Athinës dhe Ankarasë u rindezën në muajin gusht kur Turqia dërgoi një anije kërkimore në një zonë të pasur me gaz, në jug të ishullit grek të Kastellorizo, i pretenduar nga Greqia, Turqia dhe Qipro. Athina e cilësoi lëvizjen si një përshkallëzim i ri serioz.