U eliminua nga gara për deputet, Astrit Veliaj sulmon Bashën: Kështu nuk vjen ndryshimi

Untitled collage 4 1100x620

Disa ditë pasi anëtarësia e Partisë Demokratike e eliminoi nga vazhdimi i garës për kandidat për deputet në qarkun e Beratit, Astrit Veliaj sulmon drejpërdrejt lidershipin e partisë së tij Lulzim Basha duke e akuzuar atë për pandershmëri.

Sipas ish deputetit Veliaj organizatat efektive nuk duhet të ngrihen mbi intrigat e klaneve korruptive dhe farsat zgjedhore për të eleminuar njerëzit kontribute social-politike.

Postimi i plotë i Astrit Veliajt

LUFTA KUNDËR PANDERSHMËRISË / ‘Orientali shqiptar bashkohet me të tjerët si ata ujqërit që shkojnë së bashku në prehë dhe po si ujqërit shqyejnë shokun e vet kur dobësohet apo plagoset përgjatë udhës’. Këto fjalë janë shkruar sot e 90 vjet më parë, por duket se kjo kulturë nuk na është ndarë. Krist Maloki, ky studiues shqiptar ne Austrinë e shekullit të XX, ishte ndër të parët që evidentoi shpirtin rudimentar të politikanit shqiptar. Sipas tij, kjo specie jeton për llokmën dhe per fronin, jo për nderin dhe principet. Këtu duhet të fillojë ndryshimi ynë – lufta me pandershmërinë duhet të nisë me veten dhe shtrihet në mbarë shoqërinë.

Organizatat efektive ngrihen mbi integritetin dhe konkurencen e ndershme, jo mbi intrigat e klaneve korruptive. Keshtu nuk vjen ndryshimi. Keshtu riciklohet vazhdimisht e keqja. Këtu qëndron roli i lidershipit. Miti se uji buron i pastër nga lartësitë, por bëhet pis në ultësira është i gabuar. Baza reflekton shpirtin e qëndrës, ushtarët fytyrën e shefit të tyre. Njerezit imitojne prijesin, panndershmeria e tij behet pjese e kultures se pergjithshme. Prandaj jemi shoqëri me vlera dhe përfaqësi të përmbysura.

Farsat zgjedhore për të eleminuar njerëzit me realizime profesionale dhe kontribute social-politike cenojnë rëndë klimën e besimit, të përkatësisë dhe të bashkëjetesës në një familje politike. Investimi politik i viteve dhe viteve nuk mund të zhbëhet vjedhurazi, në gosti netësh te errëta ku mbi fundosjen e njerëzve të ndershem, ndahen parcelat imagjinare të pushtetit të nësërm. Ketu kemi arritur fundin. Partite duhet të organizohen për të promovuar, jo për të eleminuar. Eleminimi është kulturë e organizimeve okulte dhe nuk i përshtatet institucioneve demokratike.

Detyra bazike e cdo organizimi social e politik është ruajtja e kolegjialitetit, e respektimit te rregullave, të avancimit duke vlerësuar vitet e investimit dhe perkushtimit. Po u minua konkurenca e ndershme është djegur shpirti i një partie, i një kombi, i vete modernitetit tonë të pretenduar. Se sic thoshte Maloki oksidentalizmi nuk eshte veshje dhe qendrim plot kotësi neper sallone, por “kryerjen e një detyre të ndershme fund e krye, pa u tunduar nga përfitimi material”. Te harxhosh shume energji per t’ia hedhur te tjereve nuk ben kurre prokopi. Asgjë nuk të rrënon më shumë se kur tjeter thua dhe tjeter ben, tjeter hiqesh dhe tjeter je, kur standardet i ke maskim per te kaluar dredhitë. Shtetari shquhet per ndershmeri edhe me kundërshtarët, impostori politik kur gënjen edhe luftëtarët e tij. Nëse politika nuk ushtrohet si modeli i integritetit dhe dobishmerisë publike pa perfitime individuale, ajo kthehet në tregëti interesash të paskrupullta në dëm të zhvillimit kolektiv.

  • LAJMI I FUNDIT | Koronavirusi në Shqipëri, 4 viktima në 24 orët e fundit, 458 në total
  • LAJMI I FUNDIT | Koronavirusi në Shqipëri, 301 raste në 24 orët e fundit, 17651 në total
  • LAJMI I FUNDIT | Koronavirusi në Shqipëri, 58 të shëruar në 24 orët e fundit, 10225 në total