Votimi i Kodit të ri Zgjedhor, deputeti Gjoni: Përpjekje deri të hënën

Reforma zgjedhore dhe ajo në drejtësi janë betejat e opozitës parlamentare për t’u dhënë të rinjve shpresë që të mos largohen nga vendi. Për deputetin e opozitës parlamentare, Ralf Gjoni, që drejtësia të funksionojë, shumë zyrtarë duhet të përfundojnë në burg. Në studion e “Dita jonë” në A2, ai theksoi se do të vijojë përpjekjet deri të hënën, ku pritet të votohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

“Dy shtyllat kryesore janë reforma në drejtësi dhe reforma elektorale. Shqiptarët të zgjedhin Parlamentin dhe deputetët që duan. Beteja jonë është e fisshme. Do të bëjmë çdo gjë që është e mundur deri të hëhën. Shtylla e parë është që të funksionojë drejtësia, është që shumë zyrtarë duhet të përfundojnë në burg. Nëse kjo nuk ndodh, të gjithë diplomatët e huaj po vënë në rrezik reputacionin në Ballkan”.

Në studion e “Dita jonë” në A2, Gjoni theksoi se propozimi i tij i 17 janarit për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe hapjen e listave nuk u trajtua asnjëherë nga Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari, ndërsa shtoi se nuk beson në marrëveshjen e 5 qershorit, për të cilën i ka bërë thirrje kësaj të fundit të largohej nga Këshilli Politik dhe të mos e votonte.

“Unë jam propozuesi i një nisme ligjore për ndryshuiimin e sistemit zgjedhor që në 17 janar. Është një studim impakti në Universitetin e Oksfordit, që mbështetet nga 50 mijë firma, është hartuar nga ekspertë që kanë bashkëpunuar me Nismën Thurrje. Kërkon ndërrimin e sistemit zgjedhor dhe hapjen e listave. Ky propozim nuk u trajtua asnjëherë nga Gjiknuri dhe Hajdari. I kam bërë thirrje Rudina Hajdarit që të largohej nga Këshilli Politik dhe të mos votohej 5 qershori. Unë kam votuar kundër marrëveshjes së 5 qershorit, nuk besoj te 5 qershori”.

Deputeti i opozitës parlamentare i bëri thirrje të rinjve që nëse duan të garojnë në zgjedhjet e ardhshme të 25 prillit, të kontaktojnë me të. Ai thekson se nuk do të jetë kurrë pjesë e një lsite në të cilën nuk përfshihen emra me integritet dhe pastërti figure.

“I bëj thirrje çdo të riu dhe të reje që nëse duan të garojnë në zgjedhjet e ardhsme të më kontaktojnë, po mbledhim njerëz. Shqipërisë i duhet një alternativë, jo 10 parti të vogla. 120 emra me kapacitet, integritet, pastërti të figurës dhe asnjëherë në pozita vendimmarrëse. Nëse këto kushte nuk përmbushen nuk do të jem kurrë pjesë e një liste. Rama do të garojë sërish me firmën e Trump” .

Dhe për këtë ai shprehet besimplotë për ofrimin e një alternative, dhe për ta mbyllur mandatin e tij  me sigurinë që ia ka vlejtur kthimi në Shqipëri, sepse siç tha ai dhimbja më e madhe është dëshira masive e shqiptarëve për të ikur.

“Dhimbja ime më e madhe është dëshira masive e shqiptarëve për të ikur të cilën unë nuk e gjykoj dot më. Çdo ditëlindje e vajzës sime më kujton rikthimin në Shqipëri. Dua ta mbyll këtë mandat duke mos u bërë pishman që u ktheva në Shqipëri, dua të sigurohem që ia ka vlejtur kthimi në Shqipëri. Besoj se do arrij që të gjejmë njerëz pozitivë që ne të ofrojmë një alternativë. Të rinjtë kanë nevojë për punë, shpresë, drejtësi, Shqipëria po mbizotërohet nga mungesa e shpresës”.