“Zgjedhja e Amerikës”, Tarifa: Trump, i paaftë për të mbajtur një debat për çështjet substanciale

Ambasadori dhe akademiku, Fatos Tarifa ka komentuar përballjen e parë mes dy kandidatëve për zgjedhjet Presidenciale të Amerikës, Donald Trump dhe Joe Biden.

Diplomati mendon se krahasuar me pritshmëritë e Republikanëve, Biden nuk ishte aspak keq në debat. Ai theksoi se Trump është i paaftë për të mbajtur një debat për çështje substanciale, ndërsa kundërshtari i tij është një politikan më i matur dhe që ofron shpresë.

“Trump është një luftëtar, krokodil në një duel të tillë. Shumë i vështirë, shumë sulmues, shumë helmues dhe i paaftë për të mbajtur një debat për çështjet substanciale. Po të shikoni dhe fjalimet e tij publike kanë qenë gjithmonë: I am made in America, Joe Biden is made in China. Kjo është narrativa e tij, nuk fokusohet tek çështjet siç fokusohet Joe Biden, i cili duhet thënë, që periudha e gjatë e shërbimit në Kongresin Amerikan dhe 8 vite në Shtëpinë e Bardhë, e kanë bërë një politikan shumë të regjur. Mosha është një faktor, por nuk do të jetë një faktor në zgjedhje të tilla, sepse në fund të fundit, diferenca mes tyre është 4 vjet.”, u shpreh Tarifa për “Zgjedhja e Amerikës” në A2 CNN.

Sipas Tarifës, momentet më domethënëse të debatit, ishin kur Biden i tha Trumpit, “klloun” dhe “mbylle gojën”.

“Nuk u prek fare çështja e ekonomisë dhe Covid-19, dhe fajësimi ishte reciprok. Në fakt unë do të thoja se fajin më të madh e kanë ata që qeverisin vendin. Në këtë rast Presidenti Trump dhe administrata e tij. Por ajo që të bënte përshtypje dhe me të cilën u ndamë pasi ky debat mbaroi, ishin sulmet personale dhe fyerjet personale, sidomos nga Trump për Zotin Biden. Dhe dy momentet, dy fyerje të Zotit Biden për Trumpin, kur e quajti kloun dhe e dyta kur i tha mbylle gojën. Sikurse Trump vuri në dukje mungesën e aftësisë intelektuale të kundërshtatit të tij, çka nuk i shkon një Presidenti”, u shpreh Tarifa.