Zhvendosja e ambasadës në Jerusalem, Shqipëria votoi kundër SHBA në vitin 2017

Paralelisht më përpjekjet për të shuar konfliktet në Ballkanin Perëndimor, administrata e presidentit amerikan vijon pa u ndalur fushatën e promovimit të Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit.

Ndërsa ndërmjetësoi tryezën historike mes Kosovës dhe Serbisë në muajin shtator, në Uashington, në kuadër të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, kreu i Shtëpisë së Bardhë i dhuroi Prishtinës zyrtare njohjen nga aleati hebre, ndërsa kërkoi në këmbim që të dyja vendet të vendosnin ambasadat e tyre në Jerusalem.

Jashtë vëmendjes së presidentit amerikan nuk mbeti as Shqipëria, të cilës nuk hezitoi t’i parashtronte të njwjtën kërkesë edhe pse kjo e fundit ka votuar kundër Shteteve të Bashkuara sa i përket idesë për të shpallur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.

Në 2017-tën, vendi ynë ishte mes atyre që mbështetën rezolutën egjiptiane në OKB, ku i bëhej thirrje Shteteve të Bashkuara të tërhiqeshin nga vendimi për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit.

Madje, vota pro rezolutës, bëri që ambasadorja e Shqipërisë në OKB, Besjana Kadare, të mos ftohej në darkën e organizuar pak ditë më vonë nga ambasadorja amerikane Nikki Haley, në shenjë falenderimi për shtetet që nuk ju bashkuan rezolutës.