Del regjistrimi i fshehtë, Melania Trump e irrituar nga kritikat: Ata thonë që jam bashkëpunëtorja e tij

1 12 1100x620

Zonja e Parë e Amerikës, Melania Trump, u regjistrua fshehurazi në verën e vitit 2018 teksa shprehte frustimin e saj pasi u kritikua për politikën e të shoqit, Presidentit Trump, për ndarjen e familjeve që kaluan në mënyrë të paligjshme kufirin jugor, në një kohë kur ajo po kryente detyrat tradicionale të Zonjës së Parë, të tilla si përgatitjet për Krishtlindje.

“Ata thonë që unë jam bashkëpunëtore. Unë jam njësoj si ai, e mbështes atë. Unë nuk them sa duhet, unë nuk bëj sa duhet…” dëgjohet të thotë ajo në një kasetë të regjistruar nga Stephanie Winston Wolkoff, ish-mikesha dhe këshilltarja e vjetër e saj, që shkroi një libër mbi marrëdhënien e tyre, të titulluar “Melania dhe Unë”.

Kaseta u vendos ekskluzivisht në “Anderson Cooper 360” të CNN.

“Unë jam duke punuar … por kujt i plasi për gjërat e Krishtlindjeve, ju e dini, kush do t’ia dijë për punët e Krishtlindjeve dhe dekorimet? Por unë duhet ta bëj, apo jo? Në rregull, unë gjithsesi e bëra atë, dhe iu them se jam duke punuar për Krishtlindjet dhe ata thanë, “Oh, po fëmijët që u ndanë?” Më jepni pak pushim, dreqi e marrtë. A po thoshin ata ndonjë gjë kur Obama e bëri këtë? Unë po përpiqesha që fëmijët të ribashkoheshin me nënat, por nuk pata mundësi, duhej të kalohej i gjithë procesi dhe përmes ligjit “.

Por politika e Obamës, të cilës i referohej Melania, ishte e ndryshme nga ajo e burrit të saj, Presidentit Donald Trump.

Audioregjistrimi i siguruar nga CNN

Nën drejtimin e ish-Presidentit, Barack Obama, fëmijët ndaheshin nga prindërit vetëm kur autoritetet kishin shqetësime për mirëqenien e tyre ose nuk mund të konfirmonin që i rrituri ishte në të vërtetë kujdestari i tyre ligjor, por jo siç ishte bërë nën drejtimin e Trump, derisa një gjykatës e detyroi administratën të ndalonte.

Në një regjistrim tjetër, Melania Trump thekson reagimin e fëmijëve emigrantë si provë e cilësisë së qendrave dhe mënyrës se si kujdesen për ta.

“Fëmijët thonë,” Uau do të kem shtratin tim? Do të fle në shtrat? Do të kem një dollap për rrobat e mia?  Eshtë kaq e trishtueshme ta dëgjosh, por ata nuk i kishin këto në vendet e tyre, ata flinin në dysheme,”, thotë Melania Trump në kasetë.

“Janë kujdesur mirë për ta atje. Por ju e dini, ata nuk janë pranë prindërve, kjo është e trishtueshme. Por kur ata vijnë këtu vetëm ose ilegalisht, e dini, duhet bërë diçka.”

Zonja e parë gjithashtu hodhi dyshime mbi vërtetësinë e fjalëve të disa emigrantëve që pretendojnë se po largohen nga rreziku që iu kanoset në vendet e tyre.

 “Shumë prej nënave dhe fëmijëve iu mësohet si ta bëjnë këtë. Ata thonë gjëra të tilla si, “Oh, ne do të vritemi nga një anëtar i një bande, është kaq e rrezikshme “, tha Melania Trump tha, duke imituar një zë dramatik.

“Kështu që ata lejohen të qëndrojnë këtu. Ata mund të qëndrojnë në Meksikë, por ata nuk duan të qëndrojnë në Meksikë sepse Meksika nuk kujdeset për ta njësoj si Amerika “, shtoi ajo.

Wolkoff tha se ajo besonte se Melania Trump mund të ketë ndjerë shqetësimin e një nëne për fëmijët, por e kishte kaluar atë për tu përshtatur me axhendën e administratës.

“Ajo i kishte instiktet e një nënë dhe çështja i interesonte por nuk kishte një burrë, udhëheqësin e botës së lirë,  për të shkuar dhe për të diskutuar, atë që ndjente. Kështu që pavarsisht ndjenjave, ajo u tërhoq dhe vendosi që ato që kishte dëgjuar dhe i ishin thënë, ishin ligji i vendit”.

Në librin e saj, Wolkoff zbuloi biseda private me Zonjën e Parë, duke filluar nga marrëdhënia e saj e ftohtë me Ivanka Trump deri në martesën e saj, mendimet mbi politikën e kufirit, Michelle Obaman, polemikat rreth një xhakete që kishte veshur në 2018 dhe përdorimin e saj të shpeshtë të emojive.