
PD padit Erion Veliajn për shpifje: Po e bën qëllimisht për të përfituar në zgjedhje
Partia Demokratike ka paditur në gjykatë për shpifje kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Burime nga PD bëjnë të ditur se Veliaj është paditur pasi vazhdimisht ka shpifur kundër kryetarit të partisë, Lulzim Basha.
Në padi argumentohet se Veliaj, si drejtues i fushatës së Partisë Socialiste për Tiranën, ka bërë 3 akuza konkrete, duke shpifur për kundërshtarin politik, me qëllim që t’i dëmtojë imazhin zotit Basha.
Burime nga PD bëjnë të ditur se padia konsideron si 3 shpifje të Erion Veliajt akuzat se:
• Kryetari i PD u bë me 4 shtëpi gjatë tërmetit dhe pandemisë
• Kryetari i PD ka përfituar gjatë periudhës së fatkeqësisë
• Kryetari i PD ka ndërtuar kate pa leje.
“Këto të pavërteta janë bërë me qëllim dëmtimin e reputacionit dhe dëmtimin e imazhit në mënyrë të qëllimshme, duke qenë se Lulzim Basha është Kryetar i PD në opozitë dhe Erion Veliaj, si drejtues i fushatës zgjedhore të PS për qarkun e Tiranës, këto deklarime shpifëse i përdor për të përfituar kredo politike përballë qytetarëve, si për vete dhe për PS”, – thuhet në padinë e ngritur për shpifje ndaj Erion Veliajt.