Regjistrimi në Universitete/ Vlorë, nuk ndalet ulja e numrit të studentëve

Faktin që Shqipëria po plaket e vërteton edhe numri i ulët i studenteve që regjistrohen në vitin e parë për studimet e larta.

Vit pas viti ky numër po ulet. Dhe ulja e këtij numri nuk lidhet thjesht me faktin se të rinjtë nuk kanë dëshirë të ndjekin studimet, por konstatohet një ulje dhe e atyre të rinjve që mbarojnë maturën.

Këtë fenomen e konstatojnë shifrat e regjistrimeve të Universitetit të Vlorës, Ismail Qemali, i cili aktualisht është në fazën e dytë të regjistrimeve.

“Nuk mund të mohojmë faktin se ka rënë në mënyrë drastike numri i maturantëve, dhe rrjedhimisht do të kemi një numër më të vogël ne rang Republike”, shprehet Roland Zisi, rektor i Universitetit “Ismail Qemali”.

Fakulteti i Shëndetësisë, dhe kryesisht dega infermieri mbetet ndër më të kërkuarat, ndërsa janë drejt mbylljes deget si Matematikë- Fizikë, Kimi, dhe Italisht, interesimi per të cilat ka qenë thuajse zero.

Gjithsesi një shifër e saktë e numrit të studentëve të regjistruar në secilën prej degëve do të jepet në mesin e muajit Tetor, kur do të ketë përfunduar dhe faza e tretë e regjistrimeve.