Së shpejti fond i përbashkët, Shqipëria e Kosova mendojnë për shqiptarët e Malit të Zi

Shqipëria dhe Kosova po punojnë për ngritjen e një fondi të përbashkët për të ndihmuar shqiptarët e Malit të Zi. Ky është një tjetër zotim i nënshkruar në mbledhjen efundit mes dy qeverive.

Konfirmimi erdhi nga ministrja e qeverisë së Kosovës për punët e jashtme dhe Diasporën, Meliza Haradinaj-Stublla, pas firmosjes së një marrëveshje bashkëpunimi me Federatën Pan-Shqiptare “Vatra”.

“Puna për ngritjen e fondit ndërshtetëror që bëmë dje për Luginën e Preshevës bashkë me Qeverinë Shqiptare shënon edhe një momentum të ri në përpjekjet tona për të lartësuar pozicionin dhe përmirësuar gjendjen dhe pozicionin e shqiptarëve. Do të vazhdojmë me të njëjtin përkushtim edhe me Shqiptarët e Malit të Zi dhe ky është një zotim që e kemi bërë edhe dje në mbledhjen e dy Qeverive”, u shpreh ministrja Meliza Haradinaj-Stublla.

Ndërsa, kryetari i Shoqatës “VATRA”, Elmi Berisha tha se kjo marrëveshje shërben për bashkërendim të aktiviteteve.

“Vatra luajti rolin e ambasadorit ku për një periudhë të caktuar i bëri politikën e jashtme dhe pagoi nga xhepi i vet ambasadorët e ndryshëm. 100 vite më vonë në vitet 90- ta ishte “Vatra” që i doli zot kombit shqiptarë, ku krijuam ura të reja dhe të fuqishme me ShBA. Ne kemi bashkëpunuar 20 vite me Qeverinë e Kosovës dhe të Shqipërisë, kësaj radhe kemi menduar t’i betonojmë lidhjet tona”, deklaroi Elmi Berisha.

Synimi për të ndihmuar shqiptarët në Mal të Zi, vjen pas marrëveshjes mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës për krijimin e fondit të përbashkët për Luginën e Preshevës.