Zgjerimi, më 6 tetor presim vlerësimin e Komisionit Europian, vendimi në dorë vendeve anëtare

Që prej vitit 2018, Paketa e Zgjerimit publikohej në pranvere por këtë herë për shkak të pandemisë së koronavirusit, Komisioni Europian ka vendosur publikimin e saj në fillim të muajit tetor.

Se sa kemi avancuar me matjet e Bashkimit Europian drejt integrimit do ta mësojmë më 6 tetor. Veç analizës vjetore paketa përmban edhe raportet e detajuara për progresin që kanë bërë vendet kandidate. Përtej zgjerimit, paketa do të lidhet edhe me Planin Ekonomik dhe të Investimeve të Komisionit Evropian.

Një ditë pas publikimit të këtij raporti progresi, Komisioneri i Zgjerimit Oliver Varhelyi, viziton rajonin, ndërsa në Shqipëri do të pritet prej kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të opozitës, Lulzim Basha.

Nuk pritet që Komisioni Europian të devijojë nga tradita e viteve te fundit e rekomandimeve pozitive, fillimisht për hapjen e negociatave e tashmë për uljen në tryezën e parë ndër qeveritare. Por metodologjia e re e zgjerimit tashmë e ka bërë edhe më të fortë rolin e vendeve anëtare, ato do të kenë vendimin final në Këshillin Europian të dhjetorit.

Kur këshilli u mblodh në pranverë dhe i tha po hapjes së negociatave me Shqipërinë, u lanë edhe disa detyra shtëpie si kusht për konferencën e parë ndërqeveritare që konfirmon zyrtarisht nisjen e procesit të negociimit për anëtarësim në BE.

Reforma zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it është kushte kryesor, përfshirë dhe bërjen funkdionale të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë dhe ngritjen e organeve që do të luftojnë krimin e organizuar e korrupsionin, por ashtu ndër kushtet e Brukselit është edhe ligji i medias që nuk cenon por garanton lirinë e saj.

E ashtuquajtura paketa antishpifje do të duhet të rishikohet sipas direktivave të Komisionit të Venecias, reformën zgjedhore megjithë marrëveshjet e mosmarrëveshjet, mazhoranca e konsideron si një kusht që po përmbyllet, ndërsa Gjykata Kushtetuese funksionale brenda vitit është në pikëpyetje.