Gjiknuri i përgjigjet opozitës për Kodin: Modeli italian? Nuk ka lidhje me sistemin shqiptar

Gjiknuri i përgjigjet opozitës për Kodin: Modeli italian? Nuk ka lidhje me sistemin shqiptar
Përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, i është përgjigjur akuzave të eksponentëve të PD-së dhe LSI-së mbi Kodin Zgjedhor.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Gjiknuri deklaron se për muaj të tërë PS i ka kërkuar opozitës jashtëparlamentare të sillte “qoftë edhe vetëm një shembull të një vendi evropian, anëtar të OSBE-së, që zbaton sistemin proporcional rajonal me lista të hapura dhe me koalicione të përbëra siç ata i dëshironin”.
Sot në konferencën e tyre për shtyp, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili folën për ligjin italian. Por Gjiknuri mohon që ai të jetë shembulli i duhur.
“A ka njeri ta besojë se këtyre u kishte shpëtuar padashje e jashtë vëmendjes një model i një vendi mik e fqinj dhe e zbuluan ditën e fundit? Natyrisht që jo! Ata e dinë shumë mirë, por thjesht duan të kryejnë tentativën e fundit të dëshpëruar për të penguar e zvarritur reflektimin e ndryshimeve Kushtetuese në Kodin Zgjedhor”, thotë Gjiknuri duke sqaruar se sipas tij “modeli italian është me dy dhoma e miks, pra mazhoritar 1/3 dhe proporcional me lista të mbyllura 2/3 e vendeve. Dukshëm nuk ka lidhje me sistemin që zbaton Shqipëria, proporcionalin rajonal me lista të hapura”.