Kodi i ri zgjedhor miratimi në Kuvend, PD-LSI: Shkel rekomandimet e OSBE-ODIHR

Oerd Bylykbashi ka deklaruar në një konferencë për mediat pasditen e së dielës se “ndryshimet e njëanshme të Edi Ramës me rregullat e zgjedhjeve kanë për qëllim të reduktojnë humbjen e Edi Ramës në 25 prill”.

“Asnjë truk dhe asnjë tentativë e Edi Ramës nuk do të ndalë fundin politik të kësaj mazhorance në 25 prill dhe fitoren e opozitës në zgjedhje”, theksoi Bylykbashi.

Sipas tij, “ndryshimet e njëanshme jo vetëm nuk sigurojnë lista të hapura, por u heqin të drejtën partive politike të garojnë të lira në një koalicion, i cili, megjithatë, do ta mundë Edi Ramën në të 12 qarqet e Shqipërisë. Sido që ta bëjë sistemin, opozita i fiton zgjedhjet e ardhshme”.

“Nene të veçanta të Kodit që do të miratohen nesër, bien ndesh me rekomandimet e OSBE/ODIHR”, theksoi Bylykbashi.

Më tej, ai shtoi se “dhënia e të drejtës e një kryetari partie për të kandiduar njëherësh në 4 qarqe është një pazar i ulët që Edi Rama ka bërë me qëllim heqjen e koalicioneve me listë të përbërë, duke mashtruar shqiptarët se do të hapte listat”.

“Ky pazar, për kandidimin në 4 qarqe të kryetarëve të partive, bie ndesh me rekomandimin nr.2 të vitit 2009 të OSBE/ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri”, tha Bylykbashi.

Ftesës së përsëritur të Ramës për të treguar qoftë një model që ka edhe listat e hapura edhe koalicionet me listë të përbërë, Bylykbashi ia vendosi përgjigjen në tavolinë, e marrë nga përtej Adriatikut.

“Sot kemi provën. Në Kodin aktual është modeli që përdor shteti italian, i rikonfirmuar në vitin 2017”, deklaroi ai.  

Vasili: Me votimin e nesërm, hapje negociatash nuk ka

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili u shpreh se “çdo akt i nesërm nuk është as më shumë e as më pak, përgjegjësi shumë e rëndë për sot dhe për nesër, përgjegjësi nga e cila Edi Rama nuk mund të shmanget dot, pasi në mënyrë të vullnetshme, në funksion të një strategjie të mirë përcaktuar, varros integrimin europian të vendit”.

“Me votimin e nesërm hapje negociatash nuk ka. Armiku i integrimit, që mbajti 3 vite pezull integrimin, për një kryetar qarku në Fier, shfaqet sërish sot me një strategji të re, por me një qëllim të vjetër: pengimin absolutisht me çdo kusht të integrimit europian të vendit. Sot ky integrim ka vetëm një armik, ka vetëm një instrument politik, që është Rilindja, ka dhe të njëjtin person konstant në vite që shfaqet në momentin kur ky integrim duhet të ecë përpara, që ta pengojë me çdo kusht. Pra axhenda e e Edi Ramës është anti perëndim, anti NATO dhe është e drejtuar në një drejtim krejtësisht negativ, të pa njohur, drejt realiteteve informale, drejt informaliteteve të ngarkuara me pisllëk politik, por që janë e kundërta e asaj që shqiptarët kanë kërkuar, kërkojnë e për të cilën luftojnë”, tha Vasili.

“Është më se e qartë sigurisht për secilin shqiptar se cila është fytyra e atij që pengon dhe izolon vendin dhe fytyra e qartë e një njeriu që duke humbur e duke pasur shumë të qartë humbjen, kalon nga njeriu që pengon me çdo kusht hapjen e listave, në njeriun që bën sikur hap listat dhe tani është e qartë për të gjithë, që listat janë më të mbyllura në mënyrë të turpshme se më parë, në njeriun që bën sikur për shkak se unë po bëj sikur po hap listat kjo më pengon që të kemi koalicione parazgjedhore, në njeriun që thotë që koalicione parazgjedhore mund të ketë, por bën këtë modelin që dua unë dhe në atë mënyrë se si është nuk e dua dot. Njeriu që e tmerroi 5 qershori se i këputi duart përfundimisht nga futja e duarve në zgjedhje, sërish përpiqet të bëjë aktin e fundit të një tragjedie, që është tragjedia e vetes. Nuk është më tragjedia e shqiptarëve, shqiptarët janë të qartë, e kanë të qartë që nga ekonomia e tyre familjare, te ekonomia e vendit, e cila ka një borxh publik që shkon deri 100%, te një njeri që vjedh 24 orë në ditë me koncesione, një njeri që lë spitale të shkretuara si dhe shkollat në një derexhe që nuk është parë kurrë, po luan aktin e fundit tashmë të tragjedisë së vetes, pasi shqiptarët e konsumuan çfarë kishin për të konsumuar, janë vetëm përpara kryerjes së aktit përfundimtar më 25 prill.
Kështu që ky qëndrim është edhe ai që kemi ne, qëndrimi politik i yni në raport me këtë akt të një mafiozi politik, që i duket sikur mund të shpëtojë”, shtoi Vasili.