Konflikti në Nagorno-Karabak, Armenia sulmon qytetin e dytë azer dhe nuk tërhiqet

Nagorno Karabakh 1 1100x620

Konflikti i armatosur vazhdon mes Azerbajxhanit dhe Armenisë pavarësisht se numri i jetëve të humbura shtohet çdo ditë. Bilanc zyrtar nuk ka ende dhe kjo e ka lënë të gjithë botën në amulli. Përveç viktimave mes ushtarësh nuk përjashtohen as civilët e pafajshëm.

Të dyja palët vijojnë akuzat ndaj njëra-tjetrës pa marrë parasysh në asnjë moment apelin e SHBA, BE apo ofertën ndërmjetësuese te Rusisë për dialog. Dhe lufta vazhdon. Autoritetet në Azerbajxhan njoftuan se mëngjesin e së dielës forcat armene kanë sulmuar qytetin e Ganxhës, i dyti nën kontroll brenda një jave. Ky lajm u mohua nga Armenia, por u konfirmua nga forcat ushtarake të rajonit separatist në Nagorno-Karabak.

“Hapja e zjarrit kundrejt territorit azer nga ai armen është dukshëm një provokim që mund të zgjerojë edhe zonën tonë të sulmit”, deklaroi për mediat ministri azer i mbrojtjes.

Përvijimi i konfliktit mbart me vete rrezikun e përfshirjes në luftë edhe të vendeve të tjera. Azerbajxhani mbështetet nga Turqia ndërsa Armenia ka një pakt mbrojtjeje me Rusinë. Armenia konfirmon se do të përdorë të gjitha mjetet për të mbrojtur popullin.

Konflikti ka qenë prezent mes dy popujve që prej viteve ’90, ku rreth 30 mijë njerëz humbën jetën. Sulmet e javës që lamë pas kanë shqetësuar palën ndërkombëtare mbi stabilitetin në Kaukazin jugor prej nga ku gazsjellësi azer shpërndan gazin në tregun botëror.