Porti i peshkimit në Vlorë, i mbushur me inerte

Porti i peshkarexhave në Vlorë, ose Tri Port siç njihet ndryshe, ngjason me gjithçka tjetër përveçse me një port peshkimi.

Në port mungon tërësisht infrastruktura, duke nisur që nga uji dhe dritat e deri tek pamundësia e mjeteve të peshkimit për të dalë dhe për t’u futur në port, për shkak të thellësisë së pamjaftueshme të basenit si dhe për shkak të mjeteve të mbytura që janë lënë atje.

Në Tri Port operojnë gjithsej 80 anije peshkimi të përmasave të ndryshme, ndërsa në vend të investimit konkret është menduar ndërtimi i merkatës së peshkut, punimet e së cilës kanë nisur prej shkurtit 2019 e që pritet të përfundojnë në 2021, por në zonë nuk shihet asnjë punëtor për realizimin e projektit që prek 180 milionë lekë të reja.