Rama: Meta, kryetar i shtabit elektoral të opozitës që përdor zyrën e Presidentit

rama 4 1100x620

Kryeministri Edi Rama deklaroi se nga Presidenti Ilir Meta nuk duhet pritur asgjë tjetër deri në 25 prill “përveç përshkallëzimit të vazhdueshëm të një retorike që na turpëron të gjithëve ne si qytetarë të këtij vendi”.

“Ilir Meta është zhveshur plotësisht nga roli i Presidentit dhe është zhytur në një fushatë politike për të shpëtuar nga falimentimi SHPK-në e Monikës dhe të tribusë së tij. Mos prisni asgjë tjetër nga Ilir Meta deri në 25 prill përveç përshkallëzimit të vazhdueshëm të një retorike që na turpëron të gjithëve ne si qytetarë të këtij vendi. Meta është thjesht kryetar i shtabit elektoral të opozitës që përdor për këtë zyrën e Presidentit”, tha Rama.

Sot, Kreu i Shtetit, me anë të një statusi në Facebook ku foli për raportin e “Freedom House” për nivelin e demokracisë në vendin tonë, tha se “konkluzionet e Organizatës “Freedom House” për nivelin e demokracisë në Shqipëri gjatë pandemisë COVID-19, konfirmojnë qartësisht se vendi po rrëshket me shpejtësi drejt një junte me grusht të hekurt”.