Shembja e pallatit në Durrës, banorët pas shpërthimit të 14-katëshit: Na u dëmtuan shtëpitë

Pallati 14-katësh në Durrës u shemb në pak sekonda, këtë të shtunë, por pasojat mbeten afatgjata për banorët e pallatit ngjitur me të.

 Dyert e bllokuara, xhama të thyer, plasaritje dhe orendi të dëmtuara. Kjo ishte panorama e kësaj të diele në pallatin përbri atij që u shemb të shtunën me shpërthim të kontrolluar.

Banorët tregojnë dëmtimet që kanë pësuar. “I gjetëm të gjitha të thyera, kolonat janë dëmtuar tani dhe jo pas tërmetit”, thonë për A2 disa banorë. Ata kërkojnë ndihmën e instancave përkatëse për t’i riparuar këto dëme.

“Ky është një dëmtim ende më i madh se nga tërmeti, duam që qeveria të na ndihmojë”, thotë një nga banorët e pallatit.

Pallati 14-katësh që ndodhej në lagjen 17 të Durrësit, u shemb nga IKMT-ja dhe ekspertët e Ministrisë së Mbrojtjes, pasi kishte pësuar dëmtime të mëdha gjatë tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar.