Shëndetësia në pandemi/ Qeveria shton premtimet, mjekët pakënaqësitë

Pandemia e koronavirusit solli kthesën e qeverisë në vëmendjen ndaj punonjësve të shëndetësisë. Me shpërthimin e virusit, sytë u kthyen nga mjekët. Gjithçka nisi në mars, kur të gjithë nga karantina, i pari kryeministri, reflektuan edhe për padrejtësitë ndaj stafeve mjekësore.

“Mirënjohje, mirënjohje të gjithëve! Për të gjithë mjekët dhe infermierët që janë në atë vijë zjarri, paga e marsit do të jepet me një bonus prej 1 000 euro, që do të vazhdojë mbi rrogën deri në përfundimin e kësaj lufte”.

Edhe në normalitetin e ri që krijoi virusi, mjekët vijojnë ta marrin bonusin e premtuar nga qeveria. Por, jo të gjithë punonjësit e shëndetësisë e përfitojnë këtë shumë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, bëhet fjalë vetëm për 2900 mjekë, infermierë, epidemiologë e sanitarë që janë në spitalet Covid si dhe në atë që u quajt vija e parë në betejën e virusit.

Merita Xhafa, drejtore e politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, shprehet: “Mjekët dhe infermierët të cilët kanë qenë të angazhuar me trajtimin e pacientëve me COVID-19, janë trajtuar me bonusin 1 mijë euro mbi pagë. Ndërsa personeli mbështetës merr 500 euro mbi pagë. Janë trajtuar dhe trajtohen deri në përfundim të pandemisë”.  

Por, ky trajtim financiar ka krijuar jo pak pakënaqësi tek mjekët e familjes. Të rezervuar para kameras, ata tregojnë se nuk përfitojnë asnjë shtesë mbi pagesë. Edhe ata janë të parët, sipas tyre, që përballen me pacientët e prekur nga koronavirusi që nuk ndiqen në spitale.

Ndërsa pak ditë më parë dhe si rrallë herë, protesta e paralajmëruar e mjekëve të spitaleve univeristare alarmoi qeverinë, ku një përfaqësi e saj nxitoi për t’i dëgjuar. Në muajin e 7 të pandemisë, mjekët protestojnë për kushte më të mira pune dhe janë të pakënaqur nga rritja që do të bëjë qeveria para zgjedhjeve të 25 prillit.

Shqipëria renditet ndër vendet me më pak mjekë për numër banorësh, por edhe për vlerësimin e ulët financiar. Paga mesatare e një mjeku në Shqipëri është afërsisht 53 mijë lekë, më i ulti ndër vendet e rajonit. Ndërsa më të paguarit janë mjekët e Bosnjes dhe Malit të Zi.