Transporti urban/ Pas rikthimit të vonë në punë, 35 milionë lekë humbje në gusht

30% e urbanëve vijojnë të qëndrojnë të stacionuar në pritje të një fluksi më të lartë pune. Kryetari i Shoqatës së Transportit, Rixhin Qosja, thotë se muajt e parë të rinisjes së shërbimit kanë qenë me humbje, një konfirmim që vjen edhe nga raportimet e Institutit Kombëtar të Statistikave. 

“Gushti ka qenë me 35 milionë lekë humbje. Po punojmë me flotë të reduktuar”, tha Qosja.

Hedhja e plotë e flotës në qarkullim do të kërkojë më tepër kohë, jo vetëm për mungesë të pasagjerëve, por edhe për shkak se punonjësit e shkarkuar në kohë pandemie kanë gjetur një tjetër punë. 

“S’kemi shoferë, i ka marrë sektori i ndërtimit”, shprehet Qosja. 

Qytetarët nga ana tjetër janë të pakënaqur me shërbimin urban dhe kërkojnë përmirësim të kushteve të udhëtimit.

Gjatë protestave të përfaqësuesve të transportit urban u kërkua subvencionim nga shteti për vendet bosh në mjete për shkak të pandemisë; Heqja e akcizës për naftën dhe taksat për karburantin si dhe ulja e TVSH-së nga 20% në 0% për këtë vit dhe më pas në vitin e ardhshëm të jetë 6%.

Shoqata e Transportit thotë se këto pika ende nuk janë plotësuar, ndonëse qeveria garantoi mbështetje për ta.