Trump: Ndihem shumë mirë, ditët e ardhshme vendimtare. Do rikthehem për fushatë

MB TRUMP frame 50 1100x620

Presidenti i Shteteve të Bashkura të Amerikës, Donald Trump, tha se ndihet “shumë më mirë” dhe se shpreson se “do të kthehet së shpejti”, për të përfunduar fushatën, përpara zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit.

Në një video 4 minutëshe të postuar të shtunën në Twitter, Trump tha se ditët e ardhshme do të jenë “prova e vërtetë”, ndërsa i falënderoi të gjithë në Shtetet e Bashkuara dhe në të gjithë botën për mbështetjen e tyre.

“Ne do ta mundim këtë koronavirus”, tha Trump, duke shprehur optimizëm për efektivitetin e terapive kundër koronavirusit.

Kreu i shtëpisë së Bardhë dhe Zonja e Parë, Melania, u diagnostikuan me COVID-19, të premten dhe po trajtohen në një spital ushtarak pranë Uashingtonit.

Mjekët që janë duke e trajtuar presidentin, dhanë më herët një vlerësim optimist të shtunën rreth gjendjes së tij shëndetësore.

“Këtë mëngjes, presidenti ndjehet shumë mirë”, tha doktor Sean Conley. Trump ka qenë pa temperaturë për 24 orë dhe aktualisht nuk po trajtohet me oksigjen, shtoi ai.

“Ekipi dhe unë jemi jashtëzakonisht të lumtur me përparimin që ka bërë presidenti”, tha Conley, por nuk pranoi të thotë se kur pritet të lirohet nga spitali.

Sëmundja e papritur e presidentit Trumpit shënoi një goditje mbi fushatën e tij për zgjedhjet e 3 nëntorit, ku garon, kundrejt kandidatit demokrat, Joe Biden.