Alarm për rritjen e infektimeve, në Paris mbyllen lokalet

PARISI EUROPA COVIDI frame 305 1100x620

Europa ashpërson masat për frenimin e pandemisë së Covid-19, mes rritjes alarmante të rasteve. Parisi mbyll të gjitha baret nga dita e martë, ndërsa Çekia shpall gjendjen e emergjencës.

Parisi do të mbyllë të gjitha baret nga dita e martë, ndërsa qeveria ngre alarmin maksimal pas rritjes së pandalshme të infektimeve në vend. Kufizimet do të zgjasin dy javë, dhe do të hyjnë në fuqi, ndërsa niveli i infektimeve i tejkaloi 250 për 100 mijë banorë. Të dielën u konfirmuan mbi 12 500 raste të reja me koronavirus dhe raportohet se të paktën 30 për qind e shtretërve në terapitë intensive janë zënë nga pacientët me Covid-19.

Javën e kaluar edhe qyteti i Marsejës mbylli baret dhe restorantet, e po ashtu teatrot, muzetë dhe kinematë u detyruan të mbyllen nëse nuk do të garantonin masa të reja edhe më të rrepta kundër virusit.

Jean Castex: “Masat janë tejet të nevojshme për të frenuar përhapjen e virusit, dhe do të aplikohen në paris dhe në tri rrethina të tij përgjatë dy javëve”.

Restorantet në qytetet do të duhet të zbatojnë rregulla të reja më strikte anti-virale në mënyrë që të qëndrojnë të hapura dhe sallat e leksioneve në universitete duhet të jenë gjysmë të boshatisura. Por restorantet dhe bistrot që shërbejnë ushqim dhe alkool mund të vijojnë shërbimin për sa kohë regjistrojnë detajet e kontakteve nga klientët dhe mbyllin dyert në orën 22:00. Kryeministri kërkoi që t’i jepej prioritet punës nga shtëpia, më shumë se kurrë më parë.

Situtata nuk është më e mirë në shtetet e tjera europiane. Gjendja e emergjencës u shpall në republikën çeke ndërsa qeveria po lufton për të vënë nën kontroll shpërthimin e ri të rasteve.

Nga e hëna hynë në fuqi masa më të rrepta, përfshirë mbyllja e shkollave jo fillore, apo kufizimi i numrit të klientëve në bare dhe restorante. 

Edhe në Itali, autoritetet paralajmërojnë masa të reja mes rritjes së infektimeve në vend, përfshirë edhe Jugun. Po diskutohet mundësia e mbajtjes së maskave edhe në ambiente të hapura dhe kufizimi i grumbullimeve sociale.