Çmenduria e dyfishtë e pilotit italian: sulmon kundërshtarin në pistë dhe në bokse

Karting është modaliteti ku të gjithë pilotët e Formula 1 dhe të çdo kategorie tjetër hedhin hapat e para. Është një sport ku përveçse mësohet pilotimi, mësohen edhe vlerat që duhet të shoqërojnë një pilot në të gjithë karrierën e tij profesionale.

Për këtë arsye është shumë e rëndë ngjarja që ka ndodhur në Lonato të Italisë, gjatë garës së kategorisë KZ të Botërorit të karting. Italiani Luca Corberi pati një incident gare me Paolo Ippoliton, që e detyroi të braktiste garën. I indinjuar, Corberi qëndroi anës pistës për të pritur kalimin aty të atij që e nxori nga gara. Pasi mori një copë nga makina e shkatërruar, e lëshoi kundër Ippolitos. Fatmirësisht, pjesa e makinës nuk goditi pilotin tjetër dhe gara u mbyll normalisht.

Sikur të mos mjaftonte kjo, Corberi sulmoi fizikisht rivalin e tij pasi përfundoi gara.

Përpara se FIA të merrte masa ndaj italianit, ishte vetë 23-vjeçari që njoftoi tërheqjen e tij nga çdo garë në të ardhmen: “I kërkoj falje të gjithë komunitetit të automobilizmit për atë që kam bërë. Nuk ka justifikime për veprimin tim të turpshëm. Kam vendosur të mos marr më pjesë kurrë në asnjë garë në jetën time. Nuk po vendos vetë drejtësinë, thjesht po bëj gjënë e duhur”.