Ekspertët identifikojnë një sindromë të re të Covid-19

WQ 1100x620

Ndonjëherë të rriturit mund të vuajnë nga simptoma të rrezikshme që ngjajnë me një sindromë të lidhur me koronavirusin te fëmijët, thanë, të premten, studiuesit në Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Ekspertët e quajnë, sindromë inflamatore multisistemale tek të rriturit, ose MIS-A, dhe thonë se është e ngjashme me sindromën inflamatore multisistemale te fëmijët ose MIS-C. Ashtu si MIS-C, edhe MIS-A nuk është e lidhur qartë me koronavirusin dhe të sëmurët mund të mos shfaqin ndonjë simptomë tjetër që do të tregonte infeksionin Covid-19.

Megjithatë, MIS-A, iu ka marrë jetën të paktën tre pacientëve, që ngjashëm me Covid-19, godet në mënyrë disproporcionale pakicat racore dhe etnike, tha ekipi i CDC.

Një 46-vjeçar me ngjyrë që jetonte në Florida kishte dhimbje në vesh, në gjoks dhe të vjella. Ai doli negativ për Covid-19 kur u shtrua në spital, por u nda nga jeta pavarësisht trajtimit që mori.

MIS-C ka prekur disa qindra fëmijë në të gjithë botën dhe shkakton inflamacion të përgjithshëm, por pacientët zakonisht nuk shfaqin simptomat klasike të koronavirusit.

Testet e gjakut tregojnë se MIS-C mund të zhvillohet disa javë pasi fëmija është rikuperuar nga një infeksion koronavirusi, zakonisht raste që kalohen me simptoma të lehta ose pa simptoma.

Ekipi CDC përshkroi rastet e 27 të rriturve të moshës 21 deri 50 vjeç, të cilët kishin sindroma të ngjashme. Shumica prej tyre kishin inflamacion ekstrem në të gjithë trupin dhe mosfunksionim të organeve, të tilla si zemra, mëlçia dhe veshkat, por jo mushkëritë.