Hajdari ngre zërin në Kuvend: Në këtë sallë bëhen vetëm pazare, ndaleni këtë turp

Në seancën ku pritet të votohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor, deputetja Rudina Hajdari, me tone të ngritura, kërkoi të ndalet seanca dhe të mos votohen ndryshimet në kodin zgjedhor.

Hajdari kujtoi momentet më kyçe të Kuvendit ndër vite, ku sipas saj janë bërë pazare dhe janë mashtruar shqiptarët.

“Flas sot për ata shqiptarë që janë treguar shumë më të mençur sesa shumë nga njerëzit këtu në këtë sallë. Ata e dinë shumë mirë se në këtë sallë ka vetëm mashtrime, këtu bëhen vetëm pazare. Mos harroni asnjëherë këtë gjë.

I keni mashtruar disa herë shqiptarët nga kjo sallë. Unë sot jam me ata shqiptarë që ju i keni zhgënjyer sot. Keni nga viti 2001 që i keni thënë shqiptarëve që do ta integroni Shqipërinë në BE. Jemi sot në vitin 2020 dhe vazhdoni gënjeni. Ku është sot rinia shqiptare? Ka degdisur në Europë me kamionë. Ju sot i thoni shqiptarëve do të hapim listat.

Edhe sot po tentoni të bëni të njëjtën gjë, të mashtroni shqiptarët. Shqiptarët janë të ngopur dhe e dinë shumë mirë se ju vetëm mashtroni. Mos u hiqni si patriotë, ndaleni këtë seancë të turpshme që u bëni shqiptarëve”.