Itali, rriten shifrat e pandemisë në jug, dalin të dhënat e përhapjes së COVID-19 në shkolla

itali shkolla 1100x620

Bilanci i pandemisë në Itali, paraqitet lehtësisht në ulje, si çdo të hënë, për shkak të numrit më të kufizuar të testimeve, 32 mijë më pak se gjatë 24 orëve të mëparshme.

Sipas autoriteteve shëndetësore janë 2257 personat e diagnostikuara si pozitivë ndaj COVID-19, shifër që çon në 327586 të infektuarit në total. Viktimat e raportuara sot janë 16, kundër 18 të ditës së mëparshme, ndërkohë që janë 323 personat që gjenden në terapi intensive.

Rajoni më i prekur prej disa ditësh është Kampanja me 431 raste, pothuajse dyfishi i Lombardisë, me 251, dhe i Lacios me 248 raste.

Ndërkohë, ministra italiane e Arsimit, Lucia Azzolina, ka dhënë shifrat e përhapjes së koronavirusit në shkollat që janë të hapura prej disa javësh, edhe pse jo në mënyrë uniforme në rajonet e ndryshme.

Aplikacioni “Immuni”

Sipas saj, nxënësit pozitivë janë 1492, kurse 349 është numri i pedagogëve. Një lajm relativisht i mirë për ministren, sepse përfaqësojnë deri më tani “0.021% të totalit të nxënësve, dhe 0.047% të mësuesve. Kemi të bëjmë pra me raste sporadike, ku infeksioni është marrë kryesisht jashtë ambientit shkollor”.

Rritja graduale e numrave në Itali ka frikësuar opinionin publik, i cili pas muajsh qetësie relative ka filluar të marrë masa më strikte. Një shenjë e këtij ndryshimi është rritja e madhe e shkarkimit të aplikacionit “Immuni”, që ndihmon përmes telefonit të gjurmosh të infektuarit në zonat përreth.  

Vetëm në 48 orët e fundit aplikacioni u shkarkua rreth 357 mijë herë, duke i çuar në më shumë se 7 milionë shkarkimet në total.