Kodi i ri Zgjedhor, BE: Keqardhje që u miratua pa konsensus, s’ka lidhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR

ruci soreca frame 1726 1100x620

Bashkimi Europian ka shprehur keqardhje në lidhje me miratimin në Kuvend të Kodit të ri Zgjedhor, pa konsensusin e opozitës jashtëparlamentare. Përmes një mesazhi në “Twitter” BE thekson se ndryshimet e reja në Kodin Zgjedhor nuk kanë lidhje me zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it mbi reformën zgjedhore siç referohet në Konkluzionet e Këshillit të marsit.

“Morëm njoftim mbi miratimin nga Parlamenti të ndryshimeve të tjera në Kodin Zgjedhor. Kujtojmë se këto nuk kanë lidhje me zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it mbi reformën zgjedhore siç referohet në Konkluzionet e Këshillit të marsit. Shprehim keqardhje që nuk u arrit kompromisi në Këshillin Politik para se këto ndryshime të votoheshin në Parlament”.

Ndër të tjera BE inkurajon palët që të zbatojë reformat e duhura për integrimin dhe bën thirrje për përmirësimin e dialogut politik në vendin tonë.

“Ne inkurajojmë të gjithë palët e interesuara të mbajnë fokusin te zbatimi i reformave të nevojshme për vendin për të përparuar në rrugën e integrimit në BE, përfshirë reformat e parashikuara në marrëveshjen e 5 qershorit.

Me gjithë rezultatin pozitiv të marrëveshjes mbi rekomandimet e OSBE / ODIHR-it të arritur më 5 qershor 2020, dialogu politik në vend duhet të përmirësohet.

Kjo do të sillte standarde më të larta të integritetit dhe transparencës në procesin zgjedhor, çka është thelbësore për të ardhmen politike të vendit”.