Kodi në Kuvend, Bylykbashi: Shkatërrohen standardet, por fati i PS nuk ndryshon

Në ditën kur pritet të kalohet në parlament, drafti për reformën zgjedhore, Oerd Bylykbashi, përfaqësuesi i PD në Këshillin Politik, u shpreh në A2 se, me atë që do të miratohet shkatërrohen standardet e zgjedhjeve kur loja ka filluar.

“Me atë që do të miratohet në parlament shkatërrohen standardet e zgjedhjeve kur loja ka filluar. Janë duke bërë edhe ndryshime që janë vetëm pazare për të ndihmuar Edi Ramën. Po shkelen edhe rekomandimet e ODIHR që ne i kemi miratuar në vitin 2009. Kjo nuk ndryshon fatin e PS, e cila humbet në vitin 2021”.

Por çfarë do të ndodhë me Këshillin Politik pasi Kodi të kalojë sot në Kuvend? “Në 3 javët e fundit, Këshilli Politik u bllokua. Kishte vetëm një detyrë, të zbatonte marrëveshjen e 14 janarit. Këshilli Politik funksionon mbi konsensus, jo mbi mazhorancën. Nëse nuk ka konsensus, hapi tjetër është t’ia dërgojmë opinionin ODIHR-it”.

Për Bylykbashin, Këshilli Politik tregoi se Edi Rama kishte vendosur të ndryshonte në mënyrë të njëanshme rregullat, pasi ka frikë nga humbja.