Kodi Zgjedhor, Valteri: Me paratë e Gjiknurit janë blerë deputetët e opozitës

Pas konfliktit me kolegun Damian Gjiknuri në lulishten e Kuvendit, Halit Valteri dha versionin e tij të ngjarjes. “Më kërcënoi për fjalën time kur them që Gjiknuri është në pazar të plotë me bandat dhe opozitën jashtëparlamentare. I bëj thirrje Gjiknurit dhe Ramës ta tërheqë nga kërcënimet sepse unë dhe familja ime e kemi vërtetuar me kohë sesi dimë t’i bëjmë gjërat. Edhe në hënë të shkojë Gjiknuri me një Valter nuk merret dot, sepse i kemi dhënë provat”, tha Valteri, pasardhës i një deputeti të Parlamentit shqiptar, Beqir Valteri, i cili në vitin 1924 i bëri atentat Ahmet Zogut, asokohe kryeministër, në godinën e Kuvendit.

“Kjo mazhorancë do të përfundojë edhe me 30 mandate”, shtoi Valteri, duke akuzuar socialistët se kanë blerë votat për të miratuar Kodin Zgjedhor në Kuvend. “Vota ime është kundër, i gjithë grupi demokrat ishte kundër, por me paratë e Gjiknurit janë blerë edhe deputetë të tjerë. Deputetët e blerë janë të gjitha ata që do t’i verifikoni më vonë, të gjithë ata që kanë kaluar kodin zgjedhor”.