Meta në Ditën e Mësuesit: Pandemia shtoi sfidat, të rriten investimet në arsim

meta 2 1100x620

Në Ditën Ndërkombëtare të Mësuesit, presidenti Meta përcjell mesazhin për të dëgjuar zërin e mësuesit dhe zgjidhjen e kërkesave të tyre. Sipas Kreut të Shtetit pandemia shtoi sfidat me të cilat ndeshen mësuesit dhe nxori në pah problematikat e rënda të sistemit tonë arsimor, për të cilat apelon marrjen e masave urgjente.

“Dita Ndërkombëtare e Mësuesit, na kujton sot rolin thelbësor të mësuesit për zhvillimin e shoqërisë, nëpërmjet edukimit cilësor, gjithëpërfshirës e patriotik.

Rritja e investimeve në arsim, pajisja e mësuesve me aftësi digjitale, apo sigurimi i internetit në çdo cep të vendit, janë disa masa që duhen marrë urgjentisht, në mënyrë që kriza që po kalojmë, të mos kthehet në një katastrofë për vendin dhe të ardhmen e tij”.

Në këtë ditë, kreu i shtetit vlerësoi disa mësues të spikatur, mes tyre Ndrec Ndue Gjokën, që sipas tij kanë përçuar vlera të larta qytetarie e përkushtimi dhe janë kthyer në burim frymëzimi për mijëra nxënës dhe kolegë.

“Vlerësimi i parë shkon për një mësues, simbol i arsimit në Shqipëri, Ndrec Ndue Gjoka, i cili gjatë gjithë jetës së tij, ndezi dhe ngriti peshë zemrat e fëmijëve, duke iu mësuar shkrim e këndim dhe duke iu rrënjosur dashurinë për arsimin e për atdheun.

Ai ishte mësuesi i shkronjave, mësues i popullit, që kontribuoi për hapjen e më se 50 shkollave të gjuhës shqipe, dhe që flijoi jetën për kauzën e shenjtë të arsimit”, u shpreh presidenti.