Seanca për Kodin Zgjedhor, Ruçi: Pati vonesa, por iu afruam standardeve ndërkombëtare

ruci gramoz 1100x620

Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, mbajti një fjalim në nisje të seancës së parlamentit ku pritet të miratohen ndryshimet për Kodin e ri Zgjedhor me të cilin do të shkohet në zgjedhjet e ardhshme të 25 prillit.

Edhe pse pranoi vonesat në miratimin e këtij ligjit shumë të rëndësishëm dhe për procesin e integrimit në BE, Ruçi u shpreh se Kodi iu afrua shumë standardeve ndërkombëtare dhe se është produkt i një procesi politik e parlamentar real.

“Miratimi sot i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor dhe i institucioneve të reja të administrimit të zgjedhjeve do të ndikojë në mënyrë kapilare dhe pozitive në proceset zgjedhore të ardhshme në Shqipëri.

Kryesorja është se plotësuam pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë, të cilët i kanë artikuluar qartë kërkesat për rregulla zgjedhore që nuk deformojnë e anashkalojnë, por garantojnë vullnetin e tyre.

Standartet perëndimore mbi të cilat mbështetet legjislacioni dhe institucionet e zgjedhjeve që po miratojmë sot, janë të përcaktuara nga rekomandimet e Këshillit Europian dhe Bundestagut Gjerman, dy udhëhartat kryesore nga të cilat udhëhiqet Kuvendi, si garantues i legjitimitetit dhe kontrollit politik e ligjor të  rrugëtimit europian të Shqipërisë.

Vonesa ndodhi, jo se nuk dëshiruam, por nuk mundëm. Miratimi i reformës zgjedhore u vështirësua nga pengesa të paparashikuara. Por asgjë nuk e pengoi Kuvendin e Shqipërisë të ecë me vullnet e guxim drejt konkludimit të këtij procesi.

Nuk ishte e lehtë të arrinim deri këtu, duke harmonizuar alternativat e shumicës me opozitën parlamentare dhe opozitën jashtë Kuvendit.

Ligjet dhe vendimet që  miratojmë sot nuk janë  një produkt laboratori, por rezultat i një procesi  politik e parlamentar real, që mbështetet në themele të forta kushtetuese”, tha mes të tjerash Ruçi.