Shkurtimi i pagave gjatë karantinës, naftëtarët padisin ‘’Albpetrolin’’

Naftëtarët e Fierit kanë ngritur një kërkesë padi pranë zyrës së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Naftëtarët kërkojnë rrogën e plotë gjatë kohës së karantinës pasi kompania u dorëzoi atyre vetëm një pagë minimale.

Një përfaqësi e naftëtarëve të Fierit paditën kompaninë Albpetrol pranë zyrës së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Gjatë muajve të karantinës naftëtarët kundërshtuan uljen e pagës deri në shkallën minimale të saj. Kompania vendosi uljen e rrogave për shkak se nafta që nxirrej nuk po shitej. Pas rezistencës nga naftëtarët kompania “Albpetrol” uli pagat vetëm për administratën, duke përjashtuar punonjësit në terren. Por as me këtë vendim Sindikata e Naftëtarëve nuk u mjaftua, pasi nga ky vendim preken qindra punonjës.

Nuk është shfrytëzuar më parë si mundësi, por naftëtarët e ndihmuar nga juristët pranuan që të trokasin për zgjidhje edhe në derën e Komisionerit për Mbrojtjen nga Disikriminimi.

Nga zyra e Komisionerit mësuam se kompanisë Albpetrol i është lënë një afat 30-ditor për të informuar këtë institucion mbi veprimet e saj. Nëse kompania nuk reagon, atëherë, Komisioneri ka të drejtë të ndërmarrë masa administrative. Gjobat variojnë nga 10 000 lekë deri në 600 000 lekë.

Në rast se Albpetrol nuk paguan as gjobën, Komisioneri ka të drejtë të kërkojë pezullimin ose heqjen e lejës së aktivitetit të kompanisë. Një vendim që do të vërë në dukje vendosmërinë e institucioneve për të vepruar mbi shkeljet e pretenduara nga naftëtarët.

Burime pranë zyrës së Komisionerit pohuan se naftëtarët e Ballshit, të cilët janë në grevë urie nuk kanë bërë një kërkesë të tillë. Në çdo rast zgjidhja është më komplekse, pasi rafineria është braktisur nga kompania mëmë me pronar një firmë azere.