Votimi i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, Basha: Do të kontestohet çdo hap antikushtetues

Mëngjesin e kësaj të hëne, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim në rrugën e Durrësit dhe zonën e Myslym Shyrit.

Në këtë takim Basha është njohur nga afër me shqetësimet e bizneseve të vogla, të cilët theksuan se krahas vështirësive ekonomike të krijuara nga pandemia, një tjetër problem që po falimenton biznesin e tyre, është edhe korsia e biçikletave.

Basha u shpreh se për situatën e vështirë ku ata ndodhen aktualisht përgjegjëse është qeveria, ndërsa shtoi se ajo duhet të zbatojë planin me 5 pika të PD për ekonominë.

“Gjatë mëngjesit të sotëm kam vizituar një numër të madh biznesesh të vogla në rrugën e Durrësit dhe në rrugën Myslym Shyri. Për banorët e Tiranës dhe jo vetëm, këto dy rrugë njihen si rrugët me numrin më të madh të bizneseve. Unë kam qenë vetë dhe kam folur me ta, gjendja është katastrofë. Ato pak biznese që kanë marrë një ndihmë minimale, ashtu siç e kanë marrë, e kanë dorëzuar për sigurimet dhe pagesat e tjera. Konsumi ka rënë në pikiatë. Me dy përjashtime, të gjithë të tjerët i kishin hequr punëtorët dhe pronarët kishin marrë përsipër të administronin bizneset sepse nuk ia dilnin dot të paguanin punonjësit. Kur kjo ndodh në qendër të Tiranës, ku është konsumi më i lartë, imagjino si është gjendja kudo. Jo vetëm që nuk po pakësohet numri i atyre që po humbin vendin e punës, por po shtohet në mënyrë të përditshme. Bizneset nuk po ngrenë kokë, por po vazhdojnë të zhyten në një krizë ciklike.

 E vetmja gjë e sigurt është që do iu vinë faturat dhe taksat, por asnjë ndihmë, asnjë plan konkret për të përballuar situatën ekonomike. Të harruar dhe të braktisur nga qeveria. U bë java që kemi propozuar një plan me 5 pika, për t’i dalë para të keqes që po vjen. Dhe në këtë plan kemi propozuar një çek 1000 euro për 6 muaj për këto biznese. Këto para mund t’iu vinë sadopak në ndihmë. Pjesë e kësaj paketë është dhe një çek 2000 lekë për çdo biznes që rimerr në punë një punonjës. Kjo ndihmon ekonominë, sepse janë para që futen në konsum. E gjithë paketa jonë, kushton 312 mln euro, ndërkohë që vetëm me prokurorime, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kapur 300 mln euro abuzime. Shqipëria i ka mundësitë, të paktën sa Kosova dhe Maqedonia. Mjafton që Rama të ndalë vjedhjen dhe abuzimet me taksat. Po të ishim ne në qeveri do zbatonim paketën e 11 marsit. Nuk do të ishim në këtë gjendje. Kemi një kryeministër të papërgjegjshëm, që vazhdon të tallet dhe të vjedhë me tendera sekretë. Në vend të vazhdojë vjedhjen, i kërkojmë të marrë planin tonë.”, u shpreh Basha.

I pyetur se çfarë do të bëjë për ndryshimet në Kodin Zgjedhor që pritet të votohen në Kuvend, Basha u shpreh se do të kontestohet çdo hap antikushtetues.

“Shkatërrimi i institucioneve të Shqipërisë, është një nga arsyet pse kjo bandë e ka vjedhur dhe e ka katandisur Shqipërinë në këtë farë mënyre dhe pjesë e shkatërrimit të institucioneve është edhe shkatërrimi i Parlamentit. Hapat që duan të hedhin sot në Kuvend janë thellësisht antikushtetues, por mbi analizën që ia kanë bërë fare mirë ekspertët e opozitës, tregojnë tmerrin dhe frikën e Edi Ramës dhe të atyre që e rrethojnë nga procesi zgjedhor.

Nuk ka formulë që do ta shpëtojë Edi Ramën nga ndëshkimi i merituar popullor. Sikur vetëm për premtimet e pambajtura dhe për efektin që kanë pasur këto në litarin në fytin e familjeve shqiptare dhe të biznesit shqiptar, Edi Rama do të largohet me votë plebishitare nga shqiptarët.

Do të kontestohet çdo hap antikushtetues me të gjitha format dhe mënyrat, kjo s’ka diskutim, çdo hap antikushtetues si ky i sotmi, në kundërshtim me standardet e OSBE-ODIHR, në kundërshtim me 5 qershorin, do të kontestohet, kjo nuk ka pikë diskutimi, por po ju them që nuk ka formulë që ta shpëtojë këtë bandë nga ndëshkimi i njerëzve.

Sot për sot ajo që ka rëndësi është që ne kemi një plan me 5 pika për të ndaluar rënie e një kolapsi edhe më të thellë të ekonomisë ndërsa Edi Rama e ka mendjen ta çojë deri në fund planin e tij për të vjedhur shqiptarët, për të vjedhur dhe shpërdoruar paratë e taksave të tyre, dhe nuk ka asnjë plan për të ndihmuar njerëzit”, u shpreh kryedemokrati.