BE financon Ballkanin Perëndimor: 9 miliardë euro investime, Shqipëria do të përfitojë në 4 fusha

Bashkimi Europian do të financojë një paketë prej 9 miliardë eurosh për vendet e Ballkanit Perëndimor duke filluar nga ky vit deri më 2024. Përfituese nga këto financime do të jetë edhe Shqipëria, në katër fusha.

Nëpërmjet investimeve në transport, në energjetikë, me fokus burimet e rinovueshme, përdorimin e qymyrit, si dhe menaxhimin e mbetjeve tokësore dhe ujore. BE do të financojë linjën hekurudhore që lidh Tiranën dhe Podgoricën. Gjithashtu, do të synohet përfundimi i “Autostradës Blu” përgjatë bregdetit nga Kroacia deri në Greqi. Pjesë e investimeve do të jetë “bypass”-i i rrugës së Tiranës.

Investimet në energjetikë do të synojnë shtimin e burimeve prodhuese, si dhe rehabilitimin e atyre ekzistuese, si hidrocentrali i Fierzës. Kjo do të bëjë të mundur edhe rritjen e eksportit të energjisë. Një tjetër projekt prioritar që Bashkimi Europian synon të financojë në Shqipëri është ai për kalimin nga qymyri shumë ndotës në burime më të qëndrueshme dhe të gjelbërta të prodhimit të energjisë, në bazë edhe të Marrëveshjes së Parisit.

Ky projekt do të sjellë ndërtimin e gazsjellësit Fier-Vlorë, si pjesë e tubacionit Trans-Adriatik, si dhe tubacioni Jon-Adriatik përgjatë bregdetit do të ketë përparësi, duke lehtësuar një diversifikim të madh të burimeve të furnizimit me gaz në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë.

Ndërkohë, për menaxhimin e mbetjeve tokësore dhe ujore do të vendosen sisteme të integruara rajonale të menaxhimit të këtyre mbetjeve në mbrojtje të bimësisë dhe shëndetit të banorëve. BE do të vijojë financimin e programit IPARD për bujqësinë, i cili synon të nxisë ekonomitë rurale, ristrukturimin e sektorëve agro-ushqimorë dhe zvogëlimin e mbetjeve.