Dita e 9 e grevës së urisë, naftëtarët të vendosur, por edhe të harruar nga qeveria

Nëntë ditë nga nisja e grevës së urisë së naftëtarëve të uzinës së përpunimit të naftës në Ballsh dhe përveç përkeqësimit të shëndetit të grevistëve, asgjë tjetër nuk ka ndryshuar.

Ndonëse kanë kërkuar që një ambulancë dhe një mjek të qëndrojë pranë ambienteve ku zhvillohet greva, një gjë e tillë nuk është bërë e mundur. Ndërsa një punonjëse e qendrës shëndetësore të Ballshit vjen kur e kërkojnë grevistët për të kryer matjen e parametrave jetësore.

Tashmë, grevistët janë të heshtur dhe të lodhur, por të vendosur për ta çuar deri në fund kauzën e tyre. Pavarësisht ndërmarrjes së kësaj mase ekstreme të protestës, askush nga përfaqësuesit e Ministrisë së Energjitikës nuk ka ardhur që t’i takojë apo t’i dëgjojë.

Kërkesat e tyre, prej muajsh me radhë, mbeten të njëjtat. Pagat e prapambetura dhe rifillimi i punës në uzinën e përpunimit të naftës në Ballsh. Naftëtarët shprehen se greva e tyre nuk do të ndërpritet siç ndodhi disa muaj më parë dhe se ato që largohen në kushte të rënda shëndetësore do të zëvendësohen nga naftëtarë të tjerë.