Efekti COVID-19, tkurrja e klubeve, 2 miliardë euro shpenzime më pak në merkato

Merkato 1100x620

Merkato e kësaj vere u mbyll me një numër të madh lëvizjesh nga klubet të cilave iu desh të studionin mirë jo vetëm cilësitë e lojtarëve, por edhe vlerat e tyre në treg.

Koronavirusi la gjurmë më se të dukshme në dritaren e transferimeve të këtij viti, ku në krahasim me një sezon më parë, u shpenzuan 2 miliardë euro më pak në blerjen e futbollistëve. Diçka e tillë për herë të fundit, ka ndodhur përpara se Nejmar të kalonte në radhët e Paris Saint Germain, për të vendosur rekord botëror.

Mungesa e të ardhurave nga biletat dhe ndërprerja disamujore e kampionateve ishte një goditje e rëndë e pandemisë, pasoja të cilat reflektohet qartë në bilancet e klubeve. Në vitin 2019, 5 kampionatet kryesore të Europës shpenzuan 5 miliardë euro në merkato, ndërsa këtë vit vetëm 3.13.

Mjafton të shohësh që blerja më e shtrenjtë e verës ishte Kai Haverts nga ana e Chelsea për shumën e 80 milionë eurove. Ndërsa në vitin e kaluar, 7 futbollistë e kalonin këtë çmim, ku mes tyre renditen edhe Eden Hazard, Antuan Grizman e Zhoao Feliks që e kalojnë shifrën e 100 milionë eurove.

Pas Premier League, Serie A është kampionati i dytë që ka shpenzuar më shumë në merkato, 726 milionë euro, me transferimin më të shtrenjtë Artur nga Barca te Juventus. La Liga shpenzoi 412 milionë euro dhe skuadra që shpenzoi më shumë ishte Barcelona, 60 milionë euro për Miralem Pjanic. Pas tyre renditet kampionati francez 404 milionë euro shpenzime që pati transferimin më të shtrenjtë Jonatan David nga belgët e Gent te klubi i Lilës.