Eurodeputetët nuk kursehen ndaj Shqipërisë: Shtet i drejtuar nga mafia, zgjedhjet e ardhshme nuk do të jenë demokratike

jerome riviere 1100x620

Nuk kanë munguar qëndrimet kundër Shqipërisë, gjatë prezantimit të Paketës së Zgjerimit të BE-së 2020 dhe Planin e Investimeve Ekonomike për Ballkanin Perëndimor nga Komisonieri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi. Nuk munguan edhe idetë për ndarjen e Shqipërisë dhe Maqedonisë në procesin e anëtarësimit.

Francezi Jerome Riviere la të kuptohej se nuk do ta miratonte raportin. “Me Shqipërinë, një shtet që drejtohet nga mafia, por edhe me shumicë myslimane, Europës që ju pretendoni të mbroni, do t’i vijë fundi”, tha Riviere. Fjala e tij solli reagimin e kreut të Komisionit për Punët e Jashtme, David McAllister, i cili i kërkoi eurodeputetit të mos fyente një vend mik si Shqipëria, deklaratë që u mbështet nga shumica e eurodeputetëve të pranishëm.

Europdeputeti hungarez, nga partia Jobbik, solli në vëmendje ndryshimet e kodit zgjedhor të hënën. “Zgjedhjet e ardhshme në prill nuk do të jenë demokratike”, tha ai gjatë fjalës së tij.

Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos, i kundërshtoi zërat për frenimin e procesit të anëtarësimit, duke thënë se shqiptarët janë populli më pro-europian në rajon.