Greva e naftëtarëve, Rama: Shkova në Azerbajxhan enkas për ata

Edi Ramaokkkokkk 1100x620

Ndërsa naftëtarët janë në ditën e 9 të grevës së urisë, kryeministri Rama u shpreh, këtë të martë, se përpjekjet e qeverisë kanë qenë të vazhdueshme për të zgjidhur problemin e naftëtarëve.

Kryeministri theksoi se ka shkuar deri në Azerbajxhan për të takuar presidentin e këtij shteti pikërisht për problemin e naftëtarëve, duke qenë se kompania është nga ky shtet.

“Ajo është një kompani e privatizuar në mënyrë kriminale dhe këto janë pasojat. Ne dhe unë personalisht, jemi përfshirë në mënyrë të vazhdueshme për të mbështetur ata njerëz që janë aty, duke bërë lloj-lloj akrobacisë që ajo ndërmarrje të mund të vazhdojë normalisht.

Jo më larg se pak javë më parë kam shkuar enkas për të takuar Presidentin e Azerbajxhanit. Sot pasdite do të marr informacion se çfarë të reja ka me kompaninë që do të hynte në procesin e ndezjes së rafinerisë. Në këtë pikë kemi bërë sa kemi mundur, por për të na fajësuar dhe për të thënë që ne jemi përgjegjës për këtë, është e tepërt. Do të bëjmë çmos, por është një ndërmarrje, e cila qysh në krye të herës, e cila duhej të ishte rimëkëmbur përmes investimeve dhe privatizimi ishte kriminal.

Ajo rafineri është keqshfrytëzuar në vijim. Unë jam shumë i shqetësuar, më vjen shumë keq për njerëzit atje, por nuk mendoj se ka greva urie për të më sensibilizuar mua. Grevat e urisë bëhet kur nuk të dëgjon njeri, por ne kemi bërë disa herë ndërhyrje, duke u munduar të zgjidhim problemin, i cili është në thelb. Thelbi është i kalbur”, u shpreh Rama.